Jona Cenameri
Më 9 korrik 2026, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi se pagesa mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara do të dyfishohej nga 1 korriku dhe se do të njiheshin kontributet shoqërore dhe shëndetësore për ndihmësit personalë. Vendimet përkatëse u miratuan nga Këshilli i Ministrave më 22 korrik. Përfituesit nuk e morën pagesën e dyfishuar gjatë korrikut, por do ta marrin në gusht së bashku me shtesën e muajit të kaluar.
Më 9 korrik 2026, gjatë një takimi me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendrën e Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, ministrja Evis Sala njoftoi se dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njihen kontributet për 14 mijë ndihmës personalë
Ministrja Sala deklaroi se synimi i masës ishte që familjet e personave me aftësi të kufizuara të ndienin mbështetje konkrete nga shteti.
“Objektivi ynë është që çdo person me aftësi të kufizuara dhe çdo familje të ndiejë mbështetje konkrete nga shteti, përmes politikave që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe mundësi të barabarta”, tha ajo.
Më 20 korrik, kryeministri Edi Rama e përsëriti deklaratën gjatë një vizite në Qendrën Sociale “Jonathan”.
“Premtuam dyfishimin e mbështetjes për ta dhe jam shumë i lumtur që sot mbështetja për ta është dyfishuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se shteti do të paguante edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kujdestarëve.
“Ne vendosëm, po ashtu, që shteti, buxheti i shtetit, t’i paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat dhe për të gjithë kujdestarët, njësoj si ata të ishin në punë”
Buxheti
Akti Normativ nr. 2, datë 30 qershor 2026, ndryshoi buxhetin e vitit 2026 dhe rishikoi fondet e institucioneve dhe programeve buxhetore. Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dokumenti parashikon rreth 86.48 miliardë lekë shpenzime buxhetore, nga të cilat rreth 29.26 miliardë lekë për programin “Përkujdesja sociale”. Në treguesit fiskalë, zëri “Ndihma ekonomike dhe paaftësia” arrin në 25.324 miliardë lekë.
Akti normativ siguroi fondet, ndërsa masa e pagesës dhe mënyra e përfitimit u përcaktuan më pas përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Në përgjigjen e datës 28 korrik për Faktoje, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se buxheti i institucionit ishte rritur me rreth 8.9 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 750 milionë lekë ishin caktuar për dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe 674 milionë lekë për kontributet e kujdestarëve.
Këshilli i Ministrave
Më 22 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi paketën e vendimeve që ndryshuan masën dhe procedurat e përfitimit të pagesave për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dyfishimi përfshin 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe ka një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh. Vendimet përcaktojnë se masa ka efekt financiar nga 1 korriku 2026.
Paketa miratoi gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë, me një kosto shtesë prej 674 milionë lekësh për buxhetin e shtetit.
Rritja nuk humbet
Megjithëse Ministria e njoftoi dyfishimin më 9 korrik dhe Rama e paraqiti masën si të realizuar më 20 korrik, gjatë atij muaji përfituesit nuk e morën pagesën sipas vlerës së re.
Më 24 korrik, Shërbimi Social Shtetëror sqaroi se pagesat e reja do të jepeshin duke filluar nga 1 gushti, së bashku me diferencën e muajit korrik.
“Duke filluar nga 1 gushti 2026 përfituesit do të marrin pagesën sipas vlerave të reja, së bashku me diferencën që u përket për muajin korrik”, thuhet në njoftim.
Përfundim
Ministrja Evis Sala deklaroi se pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara do të dyfishoheshin nga 1 korriku dhe se do të njiheshin kontributet për ndihmësit personalë.
Këshilli i Ministrave miratoi dyfishimin për 10,240 fëmijë, me efekt financiar nga 1 korriku, si dhe njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë. Edhe pse pagesa e re nuk u mor gjatë korrikut, Shërbimi Social Shtetëror konfirmoi se përfituesit do ta marrin në gusht së bashku me diferencën e muajit të kaluar.
Për këtë arsye, deklaratën e ministres per dyfishimin e pagesës për fëmijet me aftësi të kufizuara e kategorizojmë të vërtetë.






