Pretendimi: Kjo video tregon ushtrinë izraelite duke tërhequr zvarrë me veturë një fëmijë palestinez që më pas ndërroi jetë nga torturat
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon “ushtrinë izraelite duke ngrehur zvarrë me veturë një fëmijë palestinez që më pas ndërroi jetë nga torturat.”

Megjithatë, pretendimi nuk shoqërohet me ndonjë burim, referencë apo detaj identifikues për videon si data dhe vendi kur është xhiruar.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon në rrjet që në dhjetor të vitit 2025.
Ajo është postuar fillimisht në Instagram më 14 dhjetor 2025 nga projekti Mbrojtje Civile e Paarmatosur (UCP) në Palestinë.

Sipas përshkrimit që shoqëronte videon, ajo tregon një incident që ndodhi më 12 dhjetor 2025, në një komunitet beduinësh palestinezë pranë qytetit Jericho, ku një kolon lidhi një dhi të ngordhur në një motor me katër rrota dhe e tërhoqi atë drejt perimetrit të kolonisë ku ai banonte, ndërsa bënte deklarata fyese kundër palestinezëve të pranishëm në zonë.
Video shfaqet gjithashtu në një artikull të gazetës iraniane Hamshahri të botuar më 16 dhjetor 2025, ku përshkruhet si “video e një adoleshenti dhe sjelljes së tij me një kafshë të ngordhur.” Sipas artikullit, video tregon një adoleshent nga një vendbanim izraelit që lidhi një dhi të ngordhur pas një automjeti dhe e tërhoqi zvarrë atë përpara palestinezëve në një akt provokues dhe të dhunshëm pranë qytetit të Jericho.
Pretendimi se video tregon një fëmijë palestinez që po tërhiqet zvarrë pas një automjeti është përgënjeshtruar nga kolegët faktverifikues palestinezë të Tahaqaq.






