Pretendimi: Ky imazh tregon një qen duke mbrojtur një fëmijë në rrënoja pas tërmetit në Venezuelë në qershor 2026
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————–
Më 24 qershor 2026, dy tërmete goditën Venezuelën, duke shaktuar vdekjen e mbi 4700 njerëzve. Pas tërmeteve, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullojë një imazh që pretendohet se tregonte një qen të racës Golden Retriever të quajtur Max duke mbrojtur një fëmijë me emrin Mateo nën rrënojat e një ndërtese.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë, burim apo referencë. Njësoj, nuk jepet as ndonjë detaj identifikues si vendi, koha dhe mbiemri i fëmijës.
Një kërkim me motoret e kërkimit pamor Google Lens dhe Yandex nuk gjeti ndonjë burim të besueshëm që raportonte këtë histori të adhurueshme. Një kërkim me fjalë kyçe gjithashtu nuk gjeti ndonjë provë apo dëshmi të një historie të tillë me një qen të quajtur Max, një fëmijë të quajtur Mateo dhe tërmetin në Venezuelë, as në lajmet në anglisht as në spanjisht.
Vetë imazhi përmban disa shenja që tregojnë se është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Së pari, qimet e qenit janë shumë të lëmuara, në mënyrë të panatyrshme, në disa pjesë dhe të ashpra në të tjera. Së dyti, fëmija ka një pamje të panatyrshme dhe dora e tij e majtë duket pothuajse si dora e një skeleti. Rrenojat në të majtë të imazhit janë gjithashtu të turbullta përgjatë skajeve. Putra e qenit është vendosur në mënyrë të panatyrshme mbi trupin e fëmijës dhe hija e kokës së qenit mbi fëmijën është jokonsistente.
Nuk ka asnjë fotografi origjinale, video shpëtimi ose ndonjë sekuencë imazhesh që vërteton se ngjarja ka ndodhur në të vërtetë.
Ka shumë histori të vërteta qensh shpëtimi që kanë shpëtuar njerëz pas tërmeteve në Venezuelë. Megjithatë, asnjë nga këto histori nuk flet për një qen të quajtur Max dhe një fëmijë të quajtur Mateo në Venezuelë. Qen të tillë janë gjithashtu kafshë shpëtimi të trajnuara, jo kafshë shtëpiake. Ata i iu nënshtrohen viteve trajnimi intensiv për t’u specializuar në gjetjen e viktimave të bllokuara nën strukturat e shembura.

Qeni i quajtur Tsunami u bë simbol i shpresës pasi ndihmoi në shpëtimin e të paktën 13 personave të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve në Venezuelë
Megjithatë, një qen shtëpiak nga Venezuela mban rekordin botëror për numrin më të lartë të njerëzve të shpëtuar nga një qen në 24 orë. Gjatë natës së 15-16 dhjetorit 1999, një Rottweiler i quajtur Orion shpëtoi të paktën 37 persona gjatë tragjedisë së Vargasit në Venezuelë, kur shirat e rrëmbyeshëm vranë mijëra njerëz (mbi 10% të popullsisë së përgjithshme të shtetit të Vargas). Në njohje të kontributit të tij në shpëtimin e jetës njerëzore Orion u vlerësua me një numër medaljesh nga qeveria venezueliane, si dhe nga institucione të ndryshme private, dhe më pas ai u bë i njohur si “El Perro Valiente” (“qeni trim”).






