Në ditën e 55-të të protestave në bulevard, kryeministri Edi Rama zgjodhi mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar për të shpallur atë që e quajti “kthesa” e mandatit të katërt qeverisës. Në epiqendër vendosi dokumentin strategjik “Besa”, të prezantuar si metodë e re e qeverisjes.
Takimi nisi me një video që rikthente pamjet e Shqipërisë së vitit 2013, duke krahasuar gjendjen e natyrës dhe mjedisit para ardhjes në pushtet të socialistëve me ndryshimet që, sipas qeverisë, janë arritur gjatë 13 viteve të fundit. Pas videos, e cila u prit me duartrokitje në sallë, Rama mori fjalën për rreth 70 minuta.
“Bulevardi i Flamingove”
Rama prezantoi dy dokumente. I pari, “Besa”, që sipas tij përmban, filozofinë e re të qeverisjes në mandatin e katërt, ndërsa i dyti lidhet me mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë ndryshim.
Por ajo që ra më shumë në sy ishte ndryshimi i narrativës së kryeministrit për protestën.
Që në minutat e para, Rama e quajti atë “Bulevardi i Flamingove”, një emërtim që e përdori gjatë gjithë fjalimit. Ndryshe nga deklaratat e mëprashme, këtë herë ai bëri një ndarje të qartë mes protestuesve dhe atyre që, sipas tij, e shfrytëzuan protestën.
“Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matës i ri i standardeve tona”, tha Rama, duke iu drejtuar qytetarëve që protestuan.
Më pas ai ndërtoi metaforën që përshkoi të gjithë fjalimin. “Flamingot” janë qytetarët e zakonshëm që kërkojnë llogari dhe standarde më të larta, ndërsa “sorrat” dhe “korbat” janë, sipas tij, ekstremistët, sharlatanët dhe aktorët politikë që përfitojnë nga pakënaqësia.
Ai pranoi se zemra e saj ishin qytetarët e zakonshëm.
“Flamingot nuk janë kush na jep të drejtë gjithnjë, por kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari”, u shpreh Rama.
“Pasqyra” e bulevardit
Një tjetër figurë që Rama përdori vazhdimisht ishte ajo e “pasqyrës së bulevardit të flamingove”. Sipas tij, protesta nuk duhet parë si një sulm ndaj qeverisë, por si pasqyra ku socialistët duhet të shohin veten.
“Bulevardi i flamingove duhet parë jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara”, tha ai.
Pikërisht në këtë “pasqyrë”, Rama tha se kishte kuptuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re.
“Unë vetë, në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre.”
Sipas tij, vendi ka kaluar nga “epoka e mungesave”, ku qytetarët vlerësonin ndërtimin e rrugëve, shkollave apo spitaleve, në “epokën e pritshmërive”, ku investimet konsiderohen standard dhe qytetarët kërkojnë cilësi shërbimi, transparencë dhe respekt.
“Faktet tona nuk mjaftojnë më”, deklaroi Rama, duke pranuar se statistikat dhe investimet nuk mjaftojnë më për të fituar besimin e qytetarëve, nëse ato nuk shoqërohen me shërbime cilësore dhe empati nga administrata.
“Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard” theksoi Rama.
Tocqueville si bosht i reflektimit
Për të mbështetur argumentin e tij, Rama iu referua disa herë filozofit dhe mendimtarit francez Alexis de Tocqueville (1805–1859), autor i veprave ‘Democracy in America’ dhe ‘The Old Regime and the Revolution’, i konsideruar një nga teoricienët më të rëndësishëm të demokracisë moderne.
“Alexis de Tocqueville na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”, tha Rama.
Më tej ai citoi sërish mendimtarin francez për të argumentuar se pritshmëritë e qytetarëve rriten më shpejt sesa ritmi i ndryshimit dhe se “abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten”.
Mbrojtja e ligjit për Zonat e Mbrojtura
Një pjesë e gjatë e fjalës iu kushtua projektit për Zvërnecin dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Rama mbrojti ndryshimet e vitit 2024, duke deklaruar se ato janë bërë “në përputhje me direktivën europiane” dhe se gjatë procesit të negociatave do të verifikohen nga Komisioni Europian.
“Ky konflikt i stisur do të zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave”, tha ai.
Ai këmbënguli gjithashtu se projekti në Zvërnec është keqkuptuar dhe se protesta u amplifikua nga profile të rreme, algoritme dhe aktorë të huaj, por shtoi se këta nuk ishin shkaku i saj.
Por deklaratat e kryeministrit u kundërshtuan menjëherë nga organizata mjedisore PPNEA.
Në një reagim publik, ajo akuzoi Ramën se “përsëri gënjeu për ligjin e Zonave të Mbrojtura”, duke i cilësuar ndryshimet e vitit 2024 “sulmin më të rëndë ndaj natyrës në 35 vitet e fundit”.
Sipas PPNEA-së, ndryshimet ligjore lejojnë ndërtimin e resorteve me pesë yje dhe komplekseve rezidenciale në zonat e mbrojtura, nuk janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe pikërisht mbi bazën e tyre u propozua projekti i qytetit të ri në Zvërnec.
Në përfundim të reagimit, organizata përsëriti kërkesën për shfuqizimin e ndryshimeve në ligj, duke kundërshtuar drejtpërdrejt deklaratat e kryeministrit.
“Besa”, dokumenti i kthesës
Në përfundim të fjalimit, pas rreth 70 minutash reflektim mbi atë që e quajti vazhdimisht “Bulevardi i Flamingove”, Rama u shfaq i djersitur teksa zbriti nga foltorja ndërsa stafi i tij shpërndante dokumentin strategjik “Besa” deputetëve dhe ministrave të pranishëm.
Sapo e morën në duar, pjesëmarrësit nisën ta shfletonin, ndërsa kryeministri shpjegoi më herët se dokumenti do të mbetej i hapur për diskutim dhe propozime gjatë verës.
Sipas Ramës, “Besa” përfaqëson metodën me të cilën synon të drejtojë mandatin e katërt, një mandat që, sipas tij, nuk duhet të matet më vetëm me investimet dhe statistikat, por me mënyrën se si qytetarët e përjetojnë shtetin në jetën e përditshme.
Nëse tre mandatet e para, sipas tij, iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte, mandati i katërt duhet t’i përgjigjet një sfide tjetër: a mund të bëhet ky ndryshim i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i ndjerë nga çdo qytetar?
“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha ai në mbyllje.






