Auditimi për mbetjet rikthehet në Kuvend

Dy vjet pas alarmit të KLSH-së, katër bashki do të përballen me seanca dëgjimore

18

Dy vjet pasi KLSH zbuloi probleme serioze në menaxhimin e mbetjeve në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, raporti i auditimit rikthehet në vëmendjen e Kuvendit. Për herë të parë, katër bashkitë e audituara do të thirren në seanca dëgjimore për të raportuar mbi zbatimin e rekomandimeve. 

Esmeralda Topi 

Nga alarmi për rrezikun ndaj shëndetit publik te mbikëqyrja parlamentare. Dy vjet pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi dështime serioze në menaxhimin e mbetjeve urbane në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, raporti i auditimit është përzgjedhur si një nga dokumentet që do t’i nënshtrohet shqyrtimit të posaçëm nga Kuvendi. Për herë të parë, katër bashkitë e audituara pritet të thirren në seanca dëgjimore për të dhënë llogari mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

Nënkomisioni Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik zhvilloi një tryezë pune me pjesëmarrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në kuadër të një procesi që synon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare përmes shqyrtimit më efektiv të raporteve të auditimit.

Në fokus të diskutimeve ishin dy raporte të auditimit të performancës: ai për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe raporti mbi procesin e birësimit të fëmijëve. Gjatë sesionit u vendos që raporti për mbetjet të pasohet nga seanca dëgjimore me katër bashkitë e audituara (Durrësin, Vlorën, Shkodrën dhe Korçën) me qëllim vlerësimin e masave të marra për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.

Nga raport teknik në instrument llogaridhënieje

Raporti i auditimit për menaxhimin e mbetjeve urbane pritet të kalojë nga një dokument teknik në një instrument të mbikëqyrjes parlamentare. Në kuadër të një programi të ri të mbështetur nga NDI, me financim të SECO-s (Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike) dhe në partneritet me SIGMA, synohet forcimi i rolit të Kuvendit në shqyrtimin e raporteve të KLSH-së dhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të tyre.

Nënkomisioni Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik nuk synon vetëm të shqyrtojë raportet e auditimit të dorëzuara nga KLSH, por përmes këtij procesi të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes, rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike përmes një kontrolli më efektiv parlamentar.

Në këtë kuadër, janë përzgjedhur gjithsej gjashtë raporte të auditimit të performancës, ndërsa dy prej tyre janë trajtuar tashmë përmes seancave dëgjimore përkatëse. Në sesionin e punës të zhvilluar më 22 korrik 2026, në fokus ishin dy raporte të tjera: ai për procesin e birësimit të fëmijëve dhe raporti për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Ky i fundit është vlerësuar si një raport me prioritet të lartë, pasi plotëson kriteret e vendosura nga Nënkomisioni për përzgjedhjen e auditimeve që kërkojnë një shqyrtim më të thelluar. Ai trajton një fushë strategjikisht të rëndësishme të administrimit publik, evidenton risqe të konsiderueshme financiare, prek një numër të madh qytetarësh dhe përmban rekomandime konkrete për përmirësimin e ofrimit të shërbimit publik.

Gjatë sesionit u diskutua nevoja që raportet e auditimit të shërbejnë si bazë për dialog ndërmjet institucioneve dhe jo vetëm si dokumente që evidentojnë problematika. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e krijimit të një kulture të re bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit, KLSH-së dhe institucioneve të audituara, ku rekomandimet të ndiqen me hapa konkretë dhe me përgjegjësi të përcaktuara.

Çfarë zbuloi auditimi për mbetjet?

Raporti i KLSH-së, publikuar në korrik 2024, analizoi mënyrën se si Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça menaxhojnë mbetjet urbane.

Sipas KLSH-së pavarësisht rritjes së kostove dhe investimeve të konsiderueshme në sektorin e mbetjeve, bashkitë nuk kishin arritur të përmirësonin ndjeshëm menaxhimin e tyre.

Në Durrës, auditimi konstatoi se bashkia nuk arrinte të siguronte qëndrueshmërinë financiare të shërbimit. Të ardhurat nga tarifa e pastrimit nuk mbulonin shpenzimet, ndërsa edhe në rast të arkëtimit të plotë të tarifës, kostot do të mbeteshin më të larta se të ardhurat.

Sipas KLSH-së, shkaku kryesor ishte rritja e kostove pas depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës. Si pasojë, rreth 30 për qind e buxhetit të Bashkisë së Durrësit përdorej për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që standardet e Kombeve të Bashkuara e konsiderojnë të pranueshme një peshë financiare nga 3 deri në 15 për qind.

Edhe më shqetësuese vlerësohej situata në Vlorë.

Auditimi evidentoi se mbetjet depozitoheshin në një fushë që nuk respektonte kriteret mjedisore dhe se ato digjeshin në mjedis të hapur, duke çliruar dioksina dhe furane – substanca të lidhura me rreziqe serioze për shëndetin, përfshirë forma të ndryshme kanceri, dëmtime të mëlçisë, sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese.

Raporti vlerësoi gjithashtu se kjo situatë kishte pasoja ekonomike, duke ndikuar në zhvlerësimin e pronave pranë zonës së depozitimit të mbetjeve.

Përtej rasteve konkrete, KLSH konstatoi se asnjë nga katër bashkitë nuk kishte zbatuar plotësisht detyrimet ligjore për planet vendore të menaxhimit të mbetjeve. Auditimi evidentoi mungesën e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, mosraportimin periodik në këshillat e qarqeve dhe mosrealizimin e objektivave për grumbullimin e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve.