Jo serioz raporti se proteina e vaksinës Pfizer qëndron aktive në trup pas 3.6 vitesh

49

Pretendimi: Vaksina mRNA e Pfizer kundër Covid-19 vazhdon të prodhojë proteinën thumb në gjak 3.6 vite pas administrimit.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Në rrethet konspiracioniste vijojnë të përsëriten narrativa kundër vaksinës së Covid-19 edhe disa vite pas përfundimit të pandemisë. Së fundmi, edhe në rrjetet shqipfolëse, po qarkullon një video ku dikush i identifikuar si Dr. Peter McCullough pretendon se, në njërin nga pacientët e tij, vaksina mRNA e Pfizer kundër Covid-19 vazhdon të prodhojë proteinën “thumb” në gjak 3.6 vite pas administrimit.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë, burim apo ide për të mbështetur këtë pretendim.

Megjithatë, Faktoje gjeti se postimi me gjasa i referohet një raporti rasti të botuar në qershor 2026 në revistën Medical Research Archives ku McCullough është njëri nga autorët. Një pjesë e autorëve të mbetur janë të punësuar nga McCullough Foundation.

Sipas raportit, një burrë 55-vjeçar pati simptoma pas tre dozave të vaksinës Pfizer-BioNTech anti-Covid me mRNA dhe iu nënshtrua testimeve të gjera afatgjata. Sipas autorëve, testimi identifikoi mRNA nga vaksina në ekzozome qarkulluese, proteina peplomere në plazmë/ekzome dhe inde të lëkurës, dhe elementë të ADN plazmidike në një biopsi të lëkurës më shumë se 3.5 vjet pas dozës së fundit. Ky është rasti i vetëm mbi të cilin është ndërtuar raporti i publikuar.

Në 2022, Bordi Amerikan i Mjekësisë së Brendshme rekomandoi heqjen e licensës së kardiologut Peter McCullough, pas pretendimeve të tij të rreme mbi vaksinimin anti-Covid.

McCullough ende rekomandon trajtimin e pacientëve me COVID-19 me Hidroksilklorinë dhe Ivermectin, edhe pse të dyja janë treguar se nuk funksionojnë kundër sëmundjes. Ai gjithashtu promovon dhe shet produkte të “detoksifikimit të proteinave peplomere” për njerëzit që janë vaksinuar, pavarësisht se nuk ka prova që njerëzit e vaksinuar kanë nevojë për ndonjë detoksifikim të tillë.

Revista ku është botuar raporti, Medical Research Archives, duket se ka besueshmëri të dobët. Një numër universitetesh dhe institucionesh kanë njoftuar pjesëtarët e tyre se ofertat që mund të marrin nga Medical Research Archives ose European Society of Medicine maskojnë atë që disa e konsiderojnë si një biznes mjaft grabitqar me tarifa të konsiderueshme botimi.

Sipas Shoqërisë Amerikane së Sëmundjeve Infektive (IDSA) proteinat peplomere të gjeneruara pas vaksinimit zgjasin për disa javë në trup. 

Nuk ka prova se proteinat peplomere riprodhohen vazhdimisht brenda qelizave njerëzore. 

Studime shkencore të deritanishme, konfirmojnë se kodi mRNA që udhëzon qelizat të krijojnë këto proteina çmontohet nga qeliza pak pasi proteina krijohet. mRNA është shumë delikate, një nga arsyet pse vaksinat mRNA duhet të ruhen me kujdes në temperatura shumë të ulëta.

Disa prova sugjerojnë se proteina peplomere e prodhuar gjatë infeksionit SARS-CoV-2 mund të jetë toksike për organe si zemra. Megjithatë, ky efekt nuk mund të ekstrapolohet drejtpërdrejt tek proteinat peplomere të provokuara nga vaksinat anti-Covid, të cilat janë të ndryshme nga ato të virusit dhe prodhohen në sasi shumë më të vogla. Në fakt, provat e disponueshme tregojnë se proteina peplomere e prodhuar përmes vaksinimit është përgjithësisht e sigurt.

Një përmbledhje e botuar në revistën shkencore The Lancet në korrik 2026 shqyrtoi provat mbi vaksinat mRNA dhe zbuloi se vaksinat e mRNA janë të sigurta dhe efektive, se efektet anësore serioze janë të rralla dhe se e njëjta platformë që po përdoret kundër Covid-19 tashmë po përshtatet për të luftuar kancerin. Ajo mbështetet në prova laboratorike, prova klinike dhe të dhëna reale nga miliarda doza të administruara në dhjetëra vende.