Regjistrimi i një patente për kontrollin e motit nuk provon dyshimet ndaj HAARP

9

Pretendimi: Patenta amerikane numër 4686605 për kontrollin e klimës është themeli i sistemit HAARP.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po flitet për një patentë të “kontrollit të klimës”, e identifikuar si patenta amerikane numër 4686605, që është zbatuar si themeli i sistemit famëkeq HAARP.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi i mësipërm i referohet një patentë të vërtetë të regjistruar në ShBA, por që nuk lidhet drejtpërdrejt me sistemin e HAARP, një shënjestër e preferuar për teoritë konspirative. 

Në vend të kësaj, ajo tregon një shpikje tjetër të përshkruar si një “metodë dhe aparat për ndryshimin e një rajoni në atmosferën, jonosferën dhe/ose magnetosferën e Tokës.” Eastlund, shpikësi, pohon se modifikimi i motit është i realizueshëm duke krijuar re atmosferike që funksionojnë si lente ose pajisje fokusimi. Megjithatë, nuk ka prova që kjo teknologji është përdorur ndonjëherë nga HAARP, pasi patenta ka skaduar. 

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.