Pretendimi: Ky imazh tregon presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen me trafikantin dhe pedofilin amerikan Jeffrey Epstein
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————–
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen me trafikantin dhe pedofilin amerikan Jeffrey Epstein.

Imazhi shoqërohet me pretendimin se “von der Leyen përmendet disa herë në dokumentet dhe provat e publikuara,” lidhur me hetimin e trafikantit Epstein dhe “ajo ishte përgjegjëse për sigurimin e njerëzve brenda rrethit të ngushtë të organizatës.”
Megjithëse dosjet janë publike, postimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë nga to që të mbështesë pretendimin.
Imazhi i mësipërm nuk gjendet në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në lidhje me Epstein. Emri i von der Leyen shfaqet në dokumente, por referencat janë artikuj gazetash rreth punës së saj si ministre gjermane, rol që ajo mbajti nga 2003 deri në vitin 2019, dhe si presidente e Komisionit Evropian. Lexuesit mund të shfletojnë vetë emailet e Epstein këtu.
Kjo sepse ai nuk është i vërtetë, por është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Një analizë e kryer me SynthID Detector, një mjet i Google për identifikimin e përmbajtjes së gjeneruar artificialisht me inteligjencën e vet artificiale, zbuloi se imazhi është i gjeneruar me Google AI.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.






