Adrenokromi nuk është përgjegjës për zhdukjen e 800 mijë fëmijëve në ShBA

5
Foto: Profimedia

Pretendimi: 800 mijë fëmijë zhduken çdo vit në Amerikë sepse përdoren për të nxjerrë adrenokromin qe përdorin elitat për të ruajtur rininë e tyre

Verdikti: E paprovuar

——————————————————

Teoritë konspirative rreth adrenokromit, drogën e pretenduar të “elitave” që përftohet nga gjaku i fëmijëve dhe përdoret nga personat e famshëm dhe të pushtetshëm për të ruajtur rininë vijojnë të qarkullojnë në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Postimi i mësipërm pretendon, në një tekst të gjatë, e me gjasa të gjeneruar nga programe të inteligjencës artificiale, se 800 mijë fëmijë zhduken çdo vit në Amerikë sepse përdoren për të nxjerrë adrenokromin qe përdorin elitat për të ruajtur rininë e tyre.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të pazakonta nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi shoqërohet me një video që duket se tregon këngëtaren Lady Gaga që përshkruan se si ajo rrëmben fëmijë dhe i pi gjakun, dhe më pas përfundon duke thënë: “Asaj i pëlqen shumë të gjuajë.”

Në fakt, video e mësipërme duket se është një video promocionale për serialin American Horror Story: Hotel, i cili është transmetuar për herë të parë në 2015. Në serialin horror, Lady Gaga luan rolin e Konteshës Elizabeth, pronarja e Hotel Cortez dhe një vampire që ruan bukurinë e saj duke pirë gjak njeriu. Në videon promocionale, Lady Gaga dukshëm po flet për personazhin që ajo luan në serial, jo për jetën e saj reale.

Pretendimi se 800 mijë fëmijë zhduken çdo vit në ShBA është i pavërtetë. Sipas Sistemit Kombëtar amerikan të Personave të Zhdukur dhe të Paidentifikuar, “në çdo kohë të caktuar, deri në 90,000 persona mund të raportohen të zhdukur në Shtetet e Bashkuara, me mbi 500,000 të raportuar çdo vit.”

Megjithëse nuk përcaktohet se sa fëmijë raportohen të zhdukur në ShBA çdo vit, ky numër nuk ka si të jetë 800 mijë, kur numri i përgjithshëm i personave të zhdukur çdo vit, fëmijë dhe të rritur, nuk e kalon 500 mijë.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. 

Adrenalina prodhohet në gjëndrat mbiveshkore, oksidantët e të cilave (monoaminat) qarkullojnë në gjak. Meqenëse adrenokromi ekziston si pjesë e metabolizmit të adrenalinës, duke qenë një neurotransmetues, trupi e oksidon atë me shpejtësi. Pasi këta lajmëtarë kimikë oksidohen, ata humbasin funksionin e tyre.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht. Kompania kanadeze Toronto Research Chemicals shet 25 mg adrenokrom për 126 dollarë amerikanë, ndërsa laboratori Astatech Inc. ofron të njëjtën sasi për 464 dollarë amerikanë.