Pretendimi: Këto pamje tregojnë trazirat në Paris, pas humbjes së Marokut ndaj Francës në Kupën e Botës më 9 korrik 2026
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————–
Pamje kaotike po qarkullojnë në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se tregojnë “tensione dhe incidente” në Paris pasi Maroku u eliminua në Botëror nga Franca më 9 korrik 2026. Postimet në rrjet pretendojnë se “një pjesë e tifozëve me origjinë marokene u përfshinë në trazira në disa zona të kryeqytetit francez.”

Lexuesi duhet të nisë të dyshojë mbi vërtetësinë e këtij pretendimi me të parë se personat në video duken të veshur me rroba dimri, pamje që nuk përkon me temperaturat e verës në Paris, të cilat më 9 korrik arritën 30 gradë celsius.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se, në fakt, asnjëra nga këto video nuk tregon Parisin më 9 korrik 2026.
Video e parë, në të cilën disa automjete mund të shihen të përmbysura në rrugë duke u djegur, është botuar fillimisht në X/Twitter më 24 dhjetor 2022.

Ndërsa video e dytë, që tregon një turmë duke vandalizuar një stacion transporti publik, është botuar fillimisht në Facebook dhe X/Twitter më 24 dhjetor 2022.

Në atë kohë, mediat raportuan se pamjet tregonin dhunën pas një sulmi që ndodhi më 23 dhjetor 2022 pranë Qendrës Kulturore Kurde në Paris. Sipas raportimeve, sulmi me të shtëna pranë Qendrës vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë. Sulmuesi u identifikua si një burrë 69-vjeçar i quajtur William Mallet, i cili pranoi se u motivua nga racizmi kundër kurdëve. Përleshjet e dhunshme shpërthyen në Paris menjëherë pas incidentit si pasojë e zemërimit ndaj shërbimeve franceze të sigurisë, të cilët u kritikuan se kishin bërë shumë pak për të parandaluar sulmin.
Video e tretë qarkullon në rrjet që nga 30 maji 2026, mbi një muaj përpara ndeshjes mes Francës dhe Marokut më 9 korrik.

Sipas përshkrimeve me të cilat shoqëroheshin pamjet, video tregonte trazirat në Paris pasi klubit vendas i futbollit, Paris Saint-Germaine, fitoi Ligën e Kampioneve më 30 maj 2026.
Si pasojë e incidenteve të dhunshme të regjistruara në Francë pas fitores në Ligën e Kampionëve thuajse 900 persona u ndaluan nga policia nga 1 qershori 2026. 178 oficerë policie dhe roje u plagosën për shkak të “sulmeve sistematike dhe hedhjes së predhave.”
Çfarë është e sigurt është se asnjëra prej këtyre videove nuk tregon trazirat në Paris pas humbjes së Marokut në Botërorin 2026.






