Asnjë kërkesë për islamizim pas protestueses me shami

11

Pretendimi: Kjo video tregon një protestuese që kërkon “islamizimin e shqiptarëve”

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon një prej protestuesve që mban një fjalë në njërën prej protestave qytetare të ditëve të fundit ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama. Pamjet publikohen me tekstin që etiketon vajzën që po flet si “minoritare islamike”“kërkon islamizimin e shqiptarëve.” 

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Në videon 10-sekondëshe, një grua e re që mban një shami në kokë dëgjohet të thotë: “Përshëndetje Shqipni! Ndryshe nga të gjithë personat që dolën e janë të njohur në media unë jam vetëm një studente e Universitetit Politeknik.”

Në asnjë moment ajo nuk përmend islamizmin apo islamin.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme tregon fjalimin e studentes Ajla Llagami në një prej ditëve të protestave masive që kanë ndodhur në Tiranë nga 31 maji 2026.

Faktoje gjeti një video më të gjatë, në të cilën dëgjohet fjalimi i plotë i Llagamit. As në videon e plotë, Llagami jo vetëm që nuk kërkon “islamizimin e shqiptarëve” siç pretendohet në postim, por i kërkon protestuesve të qëndrojnë, dhe e mbyll fjalën e saj duke thënë se “Shqipëria është e shqiptarëve.”