Konferenca e kryetareve nuk arriti dakordësi për kërkesën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, “Për zhvillimin e mocionit me debat”, në lidhje me protestën dhe kërkesat e qytetarëve. PD propozoi gjithashtu mocion me debat mbi rezolutën e Parlamentit Evropian “Mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025”.
Me votat e mazhorancës, dy kërkesat e PD-se u rrëzuan.
“Kam pyetur opozitën në konferencë kryetarësh, me çfarë mandati keni ardhur si zëdhënës të protestës?. Pastaj ju kam thënë se nuk iu njoh për përfaqësues të protestës. Pranoj gjithkënd, por partinë e Berishës nuk e pranoj dot kurrë si përfaqësues të protestës.
U kam vënë në dukje se janë aq të paaftë saqë kanë transformuar edhe kërkesat e protestuesve, ato që janë bërë publike, pavarësisht se nga kush, një person me lidhje të ngushta me Iranin. Po ti marrësh kërkesat që kishte sjellë opozita, vetëm numri ishte i njëjtë dhe vetëm pika e parë e kërkesës ishte e njëjta.
Dorëheqje dhe opozita kishte sjellë nja 4 halle të veta. Unë dhe kolegët e mi, ia kemi vërë të qartë se nuk e njohim si parti përfaqësuese të protestës. Meqë komunikimi bëhet publik dhe meqë kanë partitë radhën e tyre për të folur, ti përgjigjen dhe kësaj çështje, a ka mandat PD që t’i përfaqësojë?”, tha kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla.
Në anën tjetër, Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, tha se kërkesat e PD-së u rrëzuan nga mazhoranca pa argumente.
“Është fakt i njohur botërisht që protesta e qytetarëve shqiptarë ka marrë vëmendjen e parlamentit europian. Ka marrë vëmendjen e eurodeputetëve në seancën e fundit të PE. I vetmi parlament në rruzullin tokësor që s’i ka kushtuar vëmendje, është parlamenti i Shqipërisë. Grupi parlamentar i PD ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente në raport me shqetësimet e qytetarëve nëse i ka marrë në konsideratë, së dyti për rolin që do të duhet të luajë në adresimin e tyre dhe gjithashtu ka dorëzuar një mocion me debat për raportin që cakton detyrat e shtëpisë. Kjo rezolutë do të duhej të ishte që nga dita 1 plani ynë i punës. Të tria kërkesat janë rrëzuar sot pa argument dhe me fjalët se po bëjmë zëdhënësin e protestuesve”, tha Bardhi.
Protesta ndërkohë ka hyrë në ditën e 26-ë të saj.
Janë pesë kërkesa që janë shpallur nga grupi organizator, duke përfshirë dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.
Organizatorët kërkojnë gjithashtu ndryshime kushtetuese, si dhe shfuqizimin e disa ligjeve të kontestuara për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe investimet strategjike.
Kërkesat e tyre mbyllem me thirrjen për një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e hartuar pas konsultimeve të gjera me intelektuale dhe ekspertë teknikë






