Asnjë surprizë pas lajmit për 130 mijë pensionistë që vijojnë punën

11

Pretendimi: Vjen lajmi i papritur për mbi 130 mijë pensionistë

Verdikti: Mungon konteksti, Clickbait

————————————————————————

“Vjen lajmi i papritur për pensionistët: Thuhet se mbi mbi 130 mijë pensionistë…” lajmëron një postim në Facebook më 23 qershor, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.

Shoqëruar me imazhin e një pensionisteje, kryeministrit Edi Rama dhe tre kartëmonedhave 5000-lekëshe, postimi jep përshtypjen se lajmi i papritur ka të bëjë me ndonjë rritje pensioni ose bonus që do japë qeveria.

Megjithatë, pensionistët do të zhgënjehen me të lexuar fjalinë e parë të artikullit, i cili nuk flet për ndonjë rritje apo bonus pensioni, por për shqiptarët që vijojnë të punojnë edhe pas moshës së pensionit

Sipas INSTAT, numri i të punësuarve mbi moshën 65 vjeç arriti në 130,274 persona në vitin 2025. Kjo shifër nuk përbën ndonjë lajm të papritur, ashtu siç pretendohet në titullin e lajmit, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të raportuar në të dhënat e INSTAT janë të vetëpunësuar në sektorin e bujqësisë.

Titulli i mësipërm dukshëm synon të përfitojnë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e publikut.

Faktoje ka përgënjeshtuar edhe më parë postime keqinformuese nga i njejti portal, madje edhe postime veçanërisht mbi pensionet.