Kukësi, rritja e interesit për kopshtet në qytet kërkon shtim të edukatorëve

19

Emiriola Veliaj

Një praktikë e mirë e bashkisë Korçë në regjistrimin e fëmijëve në arsimin parashkollor, po jep rezultatet e para positive në rritjen e frekuentimit të kopshteve edhe në Kukës. Megjithatë, sfida të reja kërkojnë zgjidhje të reja.

E.M, nënë e dy fëmijëve të moshës 7 dhe 4 vjeç nga fshati Shtiqën, rreth 5 kilometra larg Kukësit, ka zgjedhur që fëmijën e saj ta regjistrojë në një nga kopshtet e qytetit, pavarësisht se ky shërbim ofrohet edhe në zonën e banimit. Ajo shprehet se vendimi lidhet me faktin se si ajo ashtu edhe bashkëshorti i saj punojnë në Kukës, duke e bërë më të lehtë kujdesin dhe reagimin e shpejtë ndaj çdo nevoje të fëmijës gjatë ditës.

Rasti i saj nuk është i izoluar. Prindër të shumtë nga fshatrat përreth Kukësit, por të punësuar në qytet, po zgjedhin gjithnjë e më shpesh kopshtet urbane për shkak të afërsisë me vendin e punës dhe organizimit më praktik të përditshmërisë.

Në këtë kontekst, një tregues i rëndësishëm mbetet raporti edukatore/fëmijë, i cili reflekton ngarkesën në institucionet parashkollore. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 ky raport ishte 12.86%, ndërsa në vitin 2024 ka zbritur lehtë në 12.77%. Megjithatë, Kukësi vijon të mbetet nën mesataren kombëtare prej 13.66%, duke sinjalizuar nevojën për forcim të kapaciteteve në sistemin parashkollor.

Tabelë e marrë nga Raporti i Performancës 2025, bashkia Kukës

Gjatë një intervistë, drejtoresha e Arsimit në Bashkinë Kukës, znj. Albana Elezaj, thotë se kopshtet e qytetit po përballen me një fluks në rritje fëmijësh, ku një pjesë e tyre vijnë nga zonat rurale përreth. Sipas saj, kjo situatë po krijon nevojë për shtim të edukatoreve, me qëllim përballimin e kërkesës në rritje në institucionet parashkollore.

znj. Albana Elezaj, drejtore e Arsimit në Bashkinë Kukës

Sipas Raportit të Performancës 2025, në bashkinë Kukës funksionojnë 50 kopshte publike dhe 3 çerdhe me drekë. Në qytet ofrojnë shërbim 5 kopshte publike, nga të cilat 3 janë me drekë. Numri total i fëmijëve në këto kopshte është 461.Ndërsa në kopshtet pa drekë janë të regjistruar 1.029 fëmijë. Frekuentimi më i lartë në kopshtet pa drekë lidhet me faktin se ky shërbim shtrihet edhe në njësitë administrative rurale.

Regjistrimi i fëmijëve në çerdhe për gurpmoshën 0-3 vjeç mbetet një tregues i rëndësishëm për nivelin e aksesit në shërbimet e kujdesit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme. Në Bashkinë Kukës raportohen 132 fëmijë të regjistruar në çerdhe, prej të cilëve 66 janë vajza, ndërsa raporti vendor për vitin 2024 paraqet një shifër më të lartë prej 155 fëmijësh. Krahasuar me mestaren kombëtare të frekuentimit në çerdhe prej 12.46%, Kukësi vijon të mbetet nën këtë nivel duke reflektuar sifda si në raportimin e të dhënave, ashtu edhe në asksesin e familjeve ndaj këtyre shërbimeve.

Tabelë e marrë nga Raporti i Performancës 2025, bashkia Kukës

Arsyeja e nivelit të ulët të regjistrimit të fëmiëjve të kësaj gurp moshe lidhet me faktin se ky shërbim ofrohet vetëm në tre çerdhe të qytetit. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e prindërve zgjedhin që kujdesi për fëmijët të ofrohet nga gjyshërit brenda familjes, si një alternativë më e përshtatshme dhe më e zakonshme në komunitet. 

Sipas të dhënave në Raportin e performancës 2025 rreth numrit të popullsisë në Bashkinë Kukës, vihet re që popullsia totale është 61.188. Shifër që nuk përputhet me të dhënat e Censit 2023 të publikuara nga INSTAT, ku Kukësi rezulton me 36.125 banorë.

Të dhënat e publikuara nga Bashkia Kukës tregojnë se në vitin 2023 numri i fëmijëve të grupmoshës 3–6 vjeç ishte 4.880, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në 3.285 fëmijë. Kjo rënie lidhet me lëvizjet demografike, por edhe me uljen e lindshmërisë viteve të fundit.

Nga kjo grupmoshë, rreth 1.490 fëmijë frekuentojnë kopshtet publike në Bashkinë Kukës, prej të cilëve 692 janë vajza. Sipas të dhënave të bashkisë, 861 fëmijë ndjekin kopshtet në qytet, ndërsa 629 në njësitë administrative.

Shifrat tregojnë një rritje të lehtë të regjistrimeve në kopshtet publike. Në vitin 2023 rezultojnë të regjistruar 1.479 fëmijë, ndërsa në vitin 2024 numri arrin në 1.490. Megjithatë, në raportin vendor për vitin 2024 figurojnë 1.468 fëmijë të regjistruar, çka krijon mospërputhje mes raportit dhe të dhënave të dërguara nga institucioni.

Krahasuar me mesataren kombëtare të regjistrimit të fëmijëve 3–6 vjeç në kopshte publike, e cila sipas raportit kombëtar është 58.40%, Bashkia Kukës rezulton mbi këtë mesatare. Kjo tregon një nivel pozitiv të përfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor dhe një stabilitet të këtij shërbimi ndër vite.

Arsyeja e nivelit të ulët të regjistrimit të fëmiëjve të kësaj gurp moshe lidhet me faktin se ky shërbim ofrohet vetëm në tre çerdhe të qytetit. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e prindërve zgjedhin që kujdesi për fëmijët të ofrohet nga gjyshërit brenda familjes, si një alternativë më e përshtatshme dhe më e zakonshme në komunitet. 

Eksperti Bukurosh Onuzi thotë se problematikë në zonat rurale mbetet numri i ulët i fëmijëve dhe bashkimi i grupmoshave të ndryshme në një grup të vetëm.

Sipas tij: “Kjo situatë vjen për shkak të largësisë mes shtëpisë dhe kopshtit, uljes së lindjeve dhe emigrimit.”

Arritje

Eksperti i projektit “Bashki të Forta”, z. Bukurosh Onuzi, i cili prej vitesh asiston Bashkinë e Kukësit, tregon se: “Arsimi parashkollor ka shënuar rritje pozitive vit pas viti. Delegimi i funksioneve pranë bashkive bëri që Bashkia Kukës të vendosë në strukturë drejtorinë e arsimit parashkollor. Po ashtu, projekti ‘Bashki të Forta’ ka bërë që mësuesit, bashkë me drejtuesit e kopshteve, të trajnohen, të hartojnë plane, të ndajnë praktika të mira mes bashkive, ku Bashkia Kukës, në fushën e digjitalizimit të shërbimeve ka zhvilluar një praktikë të mirë përmes “Regjistrit të Shërbimit”, një sistem elektronik që integron të dhënat e kopshteve në një regjistër të vetëm. Nga ky sistem mundësohet auditim më i shpejtë, raportim në kohë reale për mungesat e pajisjeve, si dhe planifikim më të saktë të mirëmbajtjes dhe investimeve. Kjo praktikë e mirë e zhvilluar nga Kukësi është ndarë me 54 bashki të tjera në vend, të cilat e kanë marrë si model për zbatim.

z. Bukrosh Onuzi, ekspert i projektit “Bashki të Forta”

Ndërkohë, në fushën e Planifikimit dhe Regjistrimit të Fëmijëve në arsimin parashkollor, Bashkia Kukës, ka përqafuar këtë praktikë të mirë të aplikuar më parë nga Bashkia e Korçës. Modeli synon organizim më efikas të regjistrimeve dhe shpërndarje më të drejtë të fëmijëve në institucionet parashkollore. Zbatimi i kësaj praktike ka sjellë përfitime të shumta, duke rritur barazinë dhe përfshirjen sociale, duke forcuar transparencën dhe llogaridhënien, si dhe duke ndërtuar një kulturë më të mirë planifikimi dhe bashkëpunimi mes bashkisë, Zyrës Vendore të Arsimit dhe komunitetit”.

Ndërkohë, edhe drejtoresha e Arsimit në Bashki, znj. Elezaj, thotë se: “Bashkëpunimi me projektin ‘Bashki të Forta’ na ka ndihmuar shumë në përditshmërinë e administrimit dhe mirëmenaxhimit të hartimit, planifikimit dhe zbatimit të planeve e raporteve sipas standardeve për të ofruar në mënyrë cilësore shërbimin e arsimit të hershëm. E gjitha kjo ka bërë që prindërit, fëmijët dhe e gjithë struktura e arsimit parashkollor të arrijnë të kenë bashkëpunim të vazhdueshëm, të shëndoshë dhe frytdhënës për të gjitha palët”.

Eksperti z. Onuzi dhe drejtoresha e arsimit, znj. Elezaj, ndër të tjera bëjnë me dije se Bashkia Kukës, e krahasuar kjo me bashkitë e Hasit apo Tropojës (bashki ku mungon inspektori i kontrrolli), shënon arritje sa i përket kontrollit të përditshëm të ushqimit të fëmijëve. “Prej disa vitesh në strukturën e arsimit në bashki është edhe inspektori i sigurimit ushqimor, i cili çdo ditë bën verifikimin dhe kontrollin e ushqimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe. Garancia ushqimore është një nga kriteret bazë që ka Bashkimi Evropian, por edhe që kërkohet sot të jetë në standarde të larta për anëtarësimin e vendit në BE”.

Probleme dhe sfida

Megjithëse janë shënuar përmirësime, arsimi parashkollor në Kukës vijon të përballet me një sërë sfidash. Sipas drejtoreshës Elezaj, ndër problemet kryesore mbetet infrastruktura e disa godinave. “Plani për përmirësimin e arsimit parashkollor, por edhe plani vendor i arsimit parauniversitar, ka parashikuar që deri në vitin 2028 të zgjidhen disa prej tyre, ku më kryesorja është rikonstruksioni i kopshtit, çerdhes numër 3 dhe çerdhes numër 1 në qytet, të cilat kanë shumë probleme në infrastrukturë, por kanë edhe numër të lartë të fëmijëve që marrin shërbimin e arsimit të hershëm”. Një tjetër sfidë mbetet ruajtja ose rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor.

Ndërsa për ekspertin problem mbetet infrastruktura e godinave, prezenca e fëmijëve të moshave të ndyrshme në një gurp në zona rurale, por më së shumti e vë theksin tek: “Projektet që kanë lidhje me ndërgjegjësimin e fëmijëve rreth mjedisit, respektimit, diferencimit të mbetjeve dhe mbajtjes pastër të hapësirave që na rrethojnë, pasi kjo lidhet edhe me standardet e Bashkimit Evropian”. Po ashtu, zoti Onuzi thotë se: “Fëmijët në kopshte duhet të fillojnë të edukohen se si duhet të sillen në raste tërmetesh apo zjarresh”.

Histori njerëzore

Prindërit mbeten një nga faktorët kryesorë në përmirësimin e kushteve në arsimin parashkollor.

Eduard Çollaku, babai i dy djemve 9 dhe 4 vjeç, me profesion mësues i gjuhës angleze në një prej shkollave në qytetin e Kukësit, prej vitesh ndërmerr nisma për të përmirësuar sadopak kushtet jo vetëm në kopshtin ku fëmijët e tij kanë marrë dhe marrin shërbim, por edhe në kopshtet e tjera në qytet.

z. Eduard Çollaku, prind

Eduardi nuk është i vetmi prind. Janë të shumtë prindërit që gjejnë mënyra për të ndikuar në përmirësimin e kushteve në kopshtet ku fëmijët e tyre arsimohen.

Nëpërmjet thirrjeve dhe kontakteve me emigrantë dhe biznesmenë kuksianë, Eduardi ka bërë të mundur që një grupi në kopshtin 1 t’i dhurojë krevate (dyshekë, batanije, jastëkë), televizorë, tavolina, karrige, tapete, po ashtu edhe shtrim me parket.

Eduardi thotë se: “Të gjitha këto i bëj sepse kam dëshirë që fëmijët të kenë kushte sa më të mira. Ndihem mirë sepse, kur mendoj që ne jemi rritur me shumë vështirësi, nuk dua që fëmijët sot të ndjejnë mungesën e kushteve në kopsht, vendi ku kalojnë gjysmën e ditës”. Ndër të tjera ai shton se: “Çdo vit, për festat e Vitit të Ri dhe 1 Qershorit, bëj pako me dhurata për fëmijët në kopshtet e qytetit. Të gjitha bëhen me biznesmenë kuksianë që jetojnë në Kukës, por edhe në vende të tjera”.

“Është një kënaqësi dhe emocion i veçantë kur shoh që fëmijët lumturohen. Kur marr mirënjohje nga mësueset dhe nga prindërit, aty shoh lumturinë pafund që ndjej, por dhe shoh sesa shumë lumturi kam shpërndarë. Kjo më gëzon pa masë”, – shton ndër të tjera njëri nga prindërit që sadopak ka përmirësuar kushtet në kopshtet e qytetit.

Rekomandime

Sa i përket rekomandimeve në lidhje me shërbimin e arsimit parashkollor në Bashkinë Kukës dhe përmirësimin e mëtejshëm, drejtoresha Elezaj rekomandon: “Kualifikimin e mësueseve nëpërmjet orëve model duke i ndarë me kolegë dhe prindër, trajnimin e vazhdueshëm të stafeve të mësuesve dhe edukatoreve në kopshte dhe çerdhe, si dhe shkëmbim eksperiencash mes stafeve të arsimit parashkollor me bashki të ngjashme përtej kufijve”.

Eksperti Onuzi rekomandon rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në arsimin e hershëm, ndërsa thekson se ndryshimet demografike po ndikojnë drejtpërdrejt në numrin e fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor. Sipas tij, ulja e lindshmërisë dhe lëvizjet demografike të familjeve drejt qyteteve më të mëdha apo emigracionit kanë sjellë rënie të numrit të fëmijëve në shumë zona, duke ndikuar edhe në regjistrimet në kopshte.  

Rekomandimi vijon më tej me ndërgjegjësimin e fëmijëve për mbrojtjen e vazhdueshme të mjedisit, shkëmbim eksperiencash me Kosovën. Edukimin e fëmijëve për të pastruar, gatuar, si dhe ndërhyrjen për përmirësimin e infrastrukturës së kopshteve dhe çerdheve.