Nga Griseld Zenuni
Qarku i Beratit, i njohur për historinë dhe traditat e tij, përballet prej vitesh edhe me sfida të shumta në sektorin e shëndetësisë.
Sistemi shëndetësor në këtë qark mbështetet kryesisht tek Spitali Rajonal Berat, si edhe tek qendrat shëndetësore në bashkitë Berat, Kuçovë, Dimal dhe Skrapar.
Në vitet e fundit, spitalet në qarkun e Beratit janë përballur me mbingarkesë të vazhdueshme, sidomos gjatë periudhave të virozave sezonale apo temperaturave ekstreme.
Përtej shërbimit që marrin në spitalet publike, qytetarët ankohen se përballen me vështirësi në sigurimin e medikamenteve, analizave dhe vizitave të specializuara.
Një prej tyre është zonja Mirela Gjata, e cila prej disa vitesh është diagnostikuar me kancer të gjirit.
Ajo i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Beratit, ku iu hoq masa tumorale.
Më pas ka vijuar trajtimin me seanca kimioterapie në Tiranë. Sipas saj, edhe pse operacioni u krye pa kosto financiare dhe ka marrë mbështetje nga mjekët që e kanë ndjekur, ajo has vështirësi në sigurimin e disa medikamenteve që i nevojiten për trajtimin hormonal.
“Unë vuaj nga kanceri i gjirit. Unë u operova në Berat, më ka operuar një doktoreshë shumë e mirë, pa asnjë lloj kostoje financiare, dhe më ka ndjekur derisa vajta në Tiranë për kimion.
Kam qenë shumë keq, e përjetova keq. Kimio është shumë e vështirë. Edhe aktualisht e ndjek trajtimin një herë në tre muaj, megjithëse kimio më ka dhënë disa simptoma, më është shfaqur diabeti. Marr ilaçe, disa nga shteti, disa me lekë, por e kam të vështirë, pasi nuk kemi të ardhura, sepse edhe bashkëshorti im është i sëmurë, më keq se unë”

Viktor dhe Mirela Gjata
Situata bëhet edhe më e vështirë për familjen e saj pasi bashkëshorti ka kryer një ndërhyrje bypass në zemër dhe vuan gjithashtu nga probleme me veshkat dhe mëlçinë.
“Ai ka bërë bypass në zemër, ka probleme me veshkat dhe mëlçinë.Nuk i kam pasur kushtet për ta ndjekur në Tiranë. Unë po vuaj tmerrësisht vetë nga analizat që duhet t’i bëj me pagesë, si unë edhe bashkëshorti im, sepse në shtet nuk t’i japin. Një herë në tre muaj na thonë që na takon të bëjmë kontrolle dhe analiza, por ai është i sëmurë rëndë. Ku pret dot ai një herë në tre muaj? Dhe detyrohem t’ia bëj me pagesë”, thotë ajo
Vëzhgimi
Spitali i Kuçovës ruan vetëm emrin, pasi është kthyer në një qendër ambulatore ku shumica e rasteve nisen drejt Beratit.

Spitali Kuçovë
Dimali nuk ka spital teksa dhe qendrat shëndetësore në fshatra janë në kushte mjeruese.

Qendra shendetesore Malas Breg
Edhe në fshatin Cukalat situata është po e njëjta.
Në të vetmen qendër shëndetësore që marrin shërbim disa fshatra si Donofrosa, Slanica, etj, qendra i ngjan një stalle bagëtish, ku myku po rrënon gjithçka.


Më e vështirë është situata në Skrapar ku spitali punon me 4 mjekë, dy prej tyre në pension dhe infermierë.
Ndërkohë specialistët në fusha të ndryshme vijnë periodikisht çdo muaj por e kanë të pamundur shërbimin shëndetësor sipas urgjencës së rasteve.
Në zona të thella rurale të Skraparit apo Poliçanit, mungesa e mjekëve specialistë ndihet edhe më shumë.
Shpesh janë specialist të huaj që vijnë me misione humanitare në Shqipëri, të cilët kryejnë vizita falas dhe ofrojnë medikamente dhe trajtim shëndetësor.
Rasti i fundit ishte ai i organizatës amerikane “Shpresa e Ripërtërirë”, të cilët mbërritën në Berat me një ekip prej 44 vullnetarësh, ku në përbërje të stafit ishin 2 dentistë, 3 okulistë, 5 mjekë specialistë, 3 mjekë të përgjithshëm dhe 2 mjekë të sëmundjeve të brendshme.

Në një përgjigje më herët për “Faktoje” nga Urdhri i Mjekut konfirmohet se qarku Berat vuan nga mungesa e mjekëve specialistë.







