I ricikluar paralajmërimi sensacionalist i sulmeve iraniane në Shqipëri

6

Pretendimi: Irani paralajmëroi se do të shënjestrojë kampin MEK në Manëz, ku jeton opozita iraniane

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————–

Në fund të Qershorit 2026, ndërsa protestat masive kundër qeverisë mbeten në qendër të diskursit publik shqiptar prej 3 javësh, në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi alarmant se Irani mund të sulmojë papritur Shqipërinë, ndërsa lexuesit ftohen të mësojnë më shumë duke klikuar në lidhjen në komente.

Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të alarmohen ende.

Artikulli që referohet në komente është riciklim i një artikulli të botuar në Mars 2026, kur peizazhi mediatik shqiptar u përfshi nga paniku i përfshirjes së vendit tonë në zonën e rrezikuar nga raketat hakmarrëse të Iranit.

Siç Faktoje shpjegoi në atë kohë, e gjithë kjo fushatë paniku e kishte zanafillën në një artikull të vetëm të botuar më 2 mars në portalin periferik azer Caliber.az, me titullin “IRGC e Iranit mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri”. 

Artikulli azer citonte një deklarata që pretendohej se ishte botuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në një kanal Telegrami të quajtur @sepah_pasdaran.

Autori i artikullit, Khagan Isayev, pyetur nga Faktoje mbi burimet ku e bazonte këtë pretendim, konfirmoi se postimi i cituar përmendte vërtet Shqipërinë. Megjithatë, ai konfirmoi gjithashtu se, pasi e kishte rikontrolluar, rezultonte se deklarata e cituar në artikull “duket se është fshirë për një arsye që nuk e dimë.” Fatkeqësisht, ai pranoi se nuk kishte bërë ndonjë screenshot të deklaratës përpara se ajo të fshihej. Zoti Isayev pranoi gjithashtu se “ne iu referuam vetëm këtij burimi kur publikuam, jo ​​ndonjë burimi tjetër.”

Vetë burimi, kanali i Telegramit, mban emrin Sepah Pasdaran, një emër alternativ për IRGC, dhe logon e Gardës Revolucionare, por në përshkrimin e kanalit deklarohet: “Kjo është personale dhe përditësohet nga mbështetësit”

Kanali është përshkruar nga BBC në 2025 si një ndër disa “kanale jozyrtare të lidhura me IRGC” “duket se drejtohen nga mbështetës dhe administratorë të lidhur me IRGC, të cilët ndajnë lajme dhe propagandë rreth Gardës.”

Në fakt, në gusht 2025, agjensia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i (IRGC) njoftoi se kishte hapur llogari zyrtare në mediat sociale për herë të parë.

Deklarata renditi llogaritë zyrtare në Telegram (@sepahneësir403) dhe Tëitter, si dhe në platformat vendase iraniane. Ç’është më domethënëse për rastin tonë, ajo konfirmoi se asnjë nga kanalet e tjera të mediave sociale me titullin ‘Sepah’ ose tituj të ngjashëm nuk janë media zyrtare të IRGC dhe nuk mund të citohen për të pasqyruar qëndrimet e Gardës.

Kanali zyrtar i IRGC në Telegram, @sepahneësir403

Sipas BBC, “disa media ndërkombëtare dhe vendase i kanë cituar gabimisht këto [kanale Telegrami jo-zyrtare me emra që përmbajnë ‘Sepah’] si “zyrtare” në disa raste në të kaluarën. Shumë besonin se Korpusi kishte mbajtur qëllimisht një re paqartësie rreth komunikimeve dhe propagandës së tij”

Pra, kanali i Telegramit që citohet si “shërbimi për shtyp” i IRGC nga artikuli azer në fakt është një kanal jo-zyrtar.

Ç’është më domethënëse, 3 muaj pas pretendimeve të Marsit 2026 për sulm të mundshëm iranian ndaj Shqipërisë, fatmirësisht, asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur. Gjasat që ai të ndodhë tani, pas nënshkrimit më 17 qershor të një memorandumi që synon përfundimin e luftës mes ShBA dhe Iran, janë edhe më të ulëta.