Pretendimi: Ky imazh tregon pamje nga protestat masive qytetare që po mbahen në Tiranë në qershor 2026
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————–
Ndërsa protestat kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë hyjnë në ditën e 13-të, në rrjete sociale po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon këto protesta, duke i përshkruar pamjet si “tubim kilometrik para Kryeministrisë.”

Megjithëse protestat e qershorit 2026 në Tiranë kanë parë pjesëmarrje masive, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo dallohet në sy të parë nga pamja tepër kinematografike e imazhit dhe gjerësia e rrugës në të, e cila duket gati dyfish më e gjerë se Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Ndërkaq, origjina e gjeneruar e imazhit konfirmohet nga mjeti zyrtar i verifikimit i OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Ndërsa protestat në Tiranë vijojnë, duke tërhequr vëmendje dhe nga mediat ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama ka tentuar të minimizojë shkallën dhe rëndësinë e tyre duke folur për një “histeri digjitale,” të nxitur nga pamje të manipuluara si pjesë e një lufte hibride të drejtuar nga forca të huaja që nuk duan zhvillimin e Shqipërisë. Shpërndarja e videove të rreme si të ishin nga protesta nuk ndihmon imazhin e saj, por përforcon këtë narrativë, të ngritur nga Rama qe në ditën e dytë të protestave.






