Në një mjedis ku dezinformimi është kudo, sfida nuk është vetëm të informohesh, por të dallosh informacionin e saktë nga ai i rremë. Studimi që prezantuam sot, “Të moshuarit në epokën digjitale”, zbulon se gjenerata e artë mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online, sidomos në fushat e shëndetit dhe politikës.
Nga Jona Cenameri
Faktoje prezantoi sot studimin “Të moshuarit në epokën digjitale”, i dedikuar ndikimit të dezinformimit tek gjenerata e artë në Shqipëri. Studimi analizon mënyrën se si të moshuarit informohen, cilave burime iu besojnë dhe sa të ekspozuar janë ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i gjeneratës së artë kundër dezinformimit”, i financuar nga Bashkimi Europian, dhe mblodhi përfaqësues të medias, shoqërisë civile, organizatave partnere, ekspertë dhe bashkëpunëtorë të Faktoje.
Studimi u realizua në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë, përmes intervistave ballë për ballë me 207 të moshuar. Gjetjet tregojnë se televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit për këtë grupmoshë: 96.6% e të anketuarve deklarojnë se e përdorin rregullisht, ndërsa 83.1% e konsiderojnë burimin më të besueshëm të lajmeve.

Aktiviteti u moderua nga gazetari Pandi Gjata, i cili theksoi se të moshuarit janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online në rrjete sociale. Duke iu referuar takimeve me të moshuarit në terren, Gjata tha se projekti e kishte prekur, sepse i kishte treguar nga afër realitetin e të moshuarve të pambrojtur përballë informacion të rremë online.



Në fjalën e saj, drejtoresha ekzekutive e qedndrës Faktoje, Klodiana Kapo, tha se projekti lindi nga nevoja për të kuptuar më mirë mënyrën se si të moshuarit përballen me informacionin në një kohë kur lajmet e rreme janë kthyer në sfidë të përditshme.
Ajo theksoi se Faktoje ka punuar drejtpërdrejt me të moshuarit, jo vetëm për t’i informuar, por edhe për të mësuar prej përvojave të tyre.

“Ne kemi mësuar shumë nga ajo që kemi dëgjuar gjatë këtij procesi. Përmes këtij studimi, të realizuar me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian, kemi komunikuar drejtpërdrejt me 207 të moshuar në katër qytete: Tiranë, Durrës, Korçë dhe Shkodër”, u shpreh Kapo.
Sipas saj, gjetjet tregojnë se dezinformimi nuk ndikon vetëm te mënyra se si njerëzit mendojnë, por edhe te vendimet që marrin për çështje të rëndësishme si shëndeti, financat apo votimi.
“Dezinformimi nuk prek vetëm një person, por ndikon në mënyrën se si qytetarët mendojnë dhe vendosin. Nëse luftojmë dezinformimin, do të kemi qytetarë më të informuar, institucione më të besueshme dhe një demokraci më të mirë”, theksoi Kapo.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se shumë të moshuar nuk kanë aftësitë e nevojshme digjitale për të lundruar të sigurt në internet dhe për të dalluar përmbajtjet e besueshme nga ato të rreme.
“Kjo i bën ata veçanërisht të cenueshëm ndaj teorive konspirative dhe informacionit të rremë apo çorientues”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria nuk është imune ndaj dezinformimit, qoftë ai i brendshëm apo i ndikuar nga aktorë të jashtëm.

Sipas tij, projekte si ky tregojnë “fytyrën njerëzore të Bashkimit Europian”, sepse bazohen te afërsia me qytetarët dhe dëgjimi i shqetësimeve të tyre.
“Nuk mjafton të bësh disa video dhe t’i postosh. Ato nuk do t’i arrinin këta njerëz. Prandaj e vlerësova faktin që ju kërkuat kontakt të drejtpërdrejtë me ta, jo thjesht për t’i edukuar, por edhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’iu përgjigjur atyre”, u shpreh ambasadori i BE-së.
Studimi tregon se, ndërsa televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit, platformat digjitale janë bërë gjithnjë e më të pranishme në jetën e përditshme të të moshuarve. WhatsApp, Facebook dhe YouTube rezultojnë ndër rrjetet më të përdorura, duke rritur aksesin në informacion, por edhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të pakontrolluara.






Mbi 87% e të anketuarve shprehen të shqetësuar për përhapjen e lajmeve të rreme, ndërsa politika dhe shëndeti perceptohen si fushat më të prekura nga keqinformimi. Të dhënat tregojnë gjithashtu se praktikat e verifikimit mbeten të kufizuara: 25.7% e të anketuarve e besojnë menjëherë një lajm pa verifikim, ndërsa vetëm 6.3% deklarojnë se e kontrollojnë gjithmonë informacionin përpara se ta shpërndajnë.



Në diskutimin e hapur, ekspertë të shëndetit, përfaqësues institucionesh dhe organizatash të shoqërisë civile ndanë komente mbi gjetjet e studimit dhe mënyrat se si mund të forcohet edukimi mediatik tek moshat e treta.
Doktor Ilir Alimehmeti u ndal te rreziku që lajmet e rreme paraqesin në fushën e shëndetit. Ai theksoi se parimi i parë në mjekësi është “mos bëj dëm” dhe solli shembuj të rasteve kur fytyrat e mjekëve apo ekspertëve janë përdorur në përmbajtje të rreme për të promovuar produkte, kura apo këshilla të pavërteta.

“Shumë lajme fake me fytyrat tona jemi përpjekur t’i përgënjeshtrojmë. Ndonjëherë njerëzve u kërkohet të lënë ilaçet, gjë që mund të shkaktojë pasoja shumë të rënda, deri në vdekje”, tha Alimehmeti.
Ai e përmblodhi shpejtësinë me të cilën përhapet dezinformimi me shprehjen: “Ndërkohë që e vërteta po lidh këpucët, gënjeshtra ka marrë dhenë.”
Gjatë diskutimit, Elsona Agolli nga UNFPA theksoi rëndësinë e edukimit të vazhduar për të moshuarit, jo vetëm për t’i ndihmuar të dallojnë informacionin e rremë, por edhe si hapësirë për socializim, informim dhe përfshirje në jetën komunitare.

Komente dhe mesazhe u ndanë edhe nga përfaqësues të organizatave të tjera, bashkëpunëtorë të Faktoje dhe aktorë të angazhuar në fushën e edukimit mediatik, shëndetit, etj.



Aktiviteti solli në vëmendje nevojën për më shumë dëgjim, komunikim të drejtpërdrejtë, burime të besueshme dhe programe të vazhdueshme që i ndihmojnë të moshuarit të informohen më mirë dhe të ndihen më të mbrojtur përballë dezinformimit.






