I keqinterpretuar kontrolli i mendjes nga valët skalare

14

Pretendimi: Valët skalare, që janë mbajtur sekret për më shumë se 100 vjet, përdoren për të kontrolluar mendjet

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se diçka e quajtur “valë skalare” përdoret për të kontrolluar mendjet e njerëzve dhe është mbajtur sekret për mbi 100 vite.

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Megjithatë, si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm, nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Valët skalare janë një koncept teorik, ekzistenca e të cilit nuk është provuar nga shkenca. 

Një valë, në kontekstin e matematikës ose fizikës, përkufizohet si “një shqetësim (ndryshim ekuilibri) dinamik që përhapet, i një ose më shumë sasive.” Më e shtjelluar, një valë lëviz nëpër hapësirë, ndryshon me kalimin e kohës. “Një ose më shumë sasive” i referohet ndonjë vetie fizike të matshme. “Shqetësim” do të thotë se një sasi ka një vlerë të paracaktuar (“ekuilibri”), por ndryshohet në diçka tjetër.

Për shembull, valët e ujit janë pjesëza uji që kanë një sasi të caktuar, lartësinë e tyre. Vala lëviz nëpër hapësirë, duke ndryshuar lartësinë e pjesëzave të ujit nga pozicioni i tyre i paracaktuar, me pjesëza të ndryshme në hapësirë, dhe të njëjtin pjesëz në kohë të ndryshme, që kanë vlera të ndryshme.

Sasitë e lartpërmendura mund të jenë ose ‘skalare’ ose ‘vektore’. Këto janë lloje të ndryshme të madhësive fizike që sillen në valë të ndryshme. Si sasitë skalare ashtu sasitë vektoriale kanë një veti madhësie, por një vektor ka edhe një veti drejtimi. Për shembull, 5 kilometra në Lindje, është një vektor, sepse ka dhe madhësi dhe drejtim, ndërsa 45 gradë Celsius është një temperaturë skalare, sepse ka vetëm madhësi, jo drejtim.

Në thelb, një valë skalare është çdo zgjidhje për ekuacionin e valës skalare, një formulë matematikore që ndonjëherë shfaqet në fizikë, zakonisht si një thjeshtëzim i një situate të valës vektoriale. Në realitet, ky përkufizim është shumë i përgjithshëm për të qenë i dobishëm..

Zgjidhjet për ekuacionin e valëve skalare janë në fakt mjaft të përhapura në fizikë. Disa shembuj përfshijnë valët akustike, lëvizjen e një teli të tendosur që shtrihet (siç është një tel kitare që tërhiqet) dhe lëvizjen e valëve në ujë (siç janë valëzimet nga një gur që bie në një pellg). Në të kundërt, valët elektromagnetike janë madhësi vektoriale të nxjerra si zgjidhje për një grup ekuacionesh të valëve vektoriale. 

Ekziston edhe koncepti i një teorie të fushës skalare dhe ai luan një rol të rëndësishëm në disa degë të fizikës. Ndërkaq, “valët skalare” nuk janë vërejtur kurrë në natyrë.

Që nga vitet 1990 termi “valë skalare” është adoptuar nga disa praktikues të mjekësisë alternative si një fjalë që tingëllon shkencore për të mbështetur çdo pretendim arbitrar çfarëdo qoftë.