Kur ekskavatorët hynë në Pishë Poro-Nartë në fillim të majit, reagimi erdhi fillimisht nga terreni. Organizata mjedisore PPNEA publikoi pamje të makinerive që lëviznin mes dunave, ndërsa aktivistët ngritën alarmin për ndërhyrje brenda një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit.
Pasuan denoncimet, protestat lokale, reagimet në rrjetet sociale dhe më pas tubimet përpara Ministrisë së Mjedisit dhe Kryeministrisë në Tiranë.
Për gati një muaj, Kryeministri Edi Rama nuk foli publikisht për çështjen, me përjashtim të një deklarate të shkurtër tre ditë më parë, ku tha se shteti “nuk po falte gjë”. Një ditë para protestës së zhvilluar në Tiranë, ai njoftoi se do të fliste sërish për këtë temë.
Monologu
Ndërsa pas protestës ku qindra të rinj u mblodhën përpara Kryeministrisë, këtë të hënë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama mbajti për herë të parë një “sqarim” të gjatë publik për çështjen.
Nuk ishte një deklaratë për mediat, as një konferencë pyetje-përgjigje. Ishte një monolog që zgjati 1 orë e 9 minuta, i mbushur me argumente ekonomike, krahasime me Greqinë e Malin e Zi, sulme ndaj kundërshtarëve të projektit dhe një përpjekje për të bindur publikun se reagimi ndaj investimit në Zvërnec po ndërtohet mbi keqinformim.
“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë”, tha Rama në hyrje të fjalës së tij, duke iu drejtuar qytetarëve të revoltuar pas pamjeve ku një protestues tërhiqej zvarrë nga rojet private të sigurisë.
“Edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit”, shtoi ai.
Por pas kësaj hyrjeje, kryeministri ndryshoi drejtim. Sipas tij, opinioni publik është përballur me një version të shtrembëruar të realitetit.
“Ju kanë manipuluar”, deklaroi Rama, duke krahasuar debatin me filmin hollivudian “Wag the Dog”, ku një luftë e trilluar përdoret për të manipuluar opinionin publik.
4 miliardë euro
Në qendër të argumentit të tij ishte ideja se Shqipëria po përballet me një mundësi historike investimi.
“Partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha ai, duke e cilësuar projektin si një hap drejt “Ligës së Kampionëve të turizmit global”.
Në fjalimin e tij, kryeministri Edi Rama mbrojti qasjen aktuale ligjore për zonat e mbrojtura, duke theksuar se peizazhi i mbrojtur nuk nënkupton ndalim të zhvillimit, por bashkëjetesë mes natyrës dhe aktivitetit ekonomik, për sa kohë respektohen procedurat dhe lejet përkatëse.
Por pikërisht aty ku kryeministri sheh një mundësi zhvillimi, ambientalistët shohin një precedent të rrezikshëm.
Ndryshimi ligjor
Aleksandër Trajçe, drejtues i Organizatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA shpjegon për Faktoje:
“Me ligjin e vjetër, peizazhi i mbrojtur (kategoria 5) kishte zonim të brendshëm me mbrojtje strikte, përfshirë zona qendrore ku nuk lejohej ndërtimi. Me ndryshimet e vitit 2024 u hoq koncepti i zonimit për këtë kategori, duke e hapur praktikisht gjithë peizazhin për ndërtime”
Sipas tij, ndryshimet ligjore të vitit 2024 hoqën pikërisht këtë mekanizëm mbrojtës.

“Heqja e konceptit të zonimit e hapi praktikisht të gjithë peizazhin e mbrojtur ndaj zhvillimeve ndërtimore. Ky është detaji që po anashkalohet në debat”
Pavarësisht ndryshimeve, Aleko Miho, ekspert mjedisi, thotë se, vlerat natyrore janë shumë herë më tepër.
“Ato sëbashku plotësojnë kërkesat e një Parku Kombëtar, apo me vlera ndërkombëtare të një zone Ramsar. Kjo zonë renditet si e rëndësishme për shpendët (IBA) nga BirdLife International (BLI, 2023), me kritere A1, A4i, A4iii, B1i (2000), e klasifikuar si shumë e kërcënuar. Zona është gjithashtu ndër më të rëndësishmet në vend për llojet bimore (IPA) (kodi A35). Zona është kandidate për rrjetin EUROPA 2000”
Miho thekson gjithashtu se ndërhyrja prek një territor me vlera të larta natyrore dhe status të mbrojtjes së veçantë.
“Vendi i rrethuar prek direkt tre monumente natyre: 1) Kodrat molasike të Zvërnecit, 2) Lagunën Limopuo, e fshehur mes këtyre kodrave, dhe 3) Dunat e Nartës/Akërnisë, ndër më të ruajturat në gjithë Mesdheun. Të treja janë të Kategorisë III të mbrojtjes sipas VKM/DCM 303/2019”.
Ndikimi në mjedis
Në fjalimin e tij, Rama këmbënguli disa herë se projekti nuk është ende përfundimtar. “Nuk kemi studimin mjedisor. Nuk ka ardhur akoma”, deklaroi ai. Pikërisht kjo deklaratë ka ngritur shqetësime të reja tek organizatat mjedisore.
Olsi Nika nga ‘EcoAlbania’ argumenton se sipas legjislacionit shqiptar, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk është një procedurë që mund të shtyhet për më vonë. “Ligji e përcakton qartë VNM-në si një detyrim paraprak dhe thelbësor që duhet të realizohet në fazat më të hershme të konceptimit dhe planifikimit të çdo projekti zhvillimor”, thotë Nika për Faktoje.
Sipas tij, vetë logjika e ligjit kërkon që ndikimet e mundshme të vlerësohen përpara se autoritetet të japin miratime apo të lejojnë ndërhyrje në territor.
“Çdo ndërhyrje në territor pa një VNM të hartuar dhe të miratuar paraprakisht bie ndesh me parimin e parandalimit dhe me detyrimet e legjislacionit mjedisor në fuqi”
Ndërkohë, kryeministri këmbëngul se ajo që po ndodh aktualisht lidhet me studime paraprake dhe jo me ndërtimin e resortit.
“Lufta zhvillohet sot vetëm me një gjë konkrete, me një gardh të shëmtuar dhe me një akt skandaloz të një kompanie sigurie”, tha ai.
Por për ambientalistët, problemi nuk është vetëm gardhi.
“Të quash teori konspirative shqetësimin publik për ndërtimet në një zonë të mbrojtur nuk e ndryshon realitetin në terren”, thotë Nika.
“Po planifikohet ndërtimi i një qyteti me karakter të fortë urban brenda një zone të mbrojtur, përmes një procesi që ngre pikëpyetje serioze ligjore, mjedisore dhe publike” përfundon ai.
Laguna e Nartës
Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me gjendjen ekologjike të lagunës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se “Laguna është në pikë të hallit” dhe argumentoi se projekti do të ndihmojë në rehabilitimin e saj. Por ambientalistët e hedhin poshtë këtë përshkrim, duke iu referuar të dhënave shkencore.
“Ky është një interpretim vetjak. Të dhënat shkencore tregojnë se Laguna e Nartës është ndër lagunat më të rëndësishme për biodiversitetin në Mesdhe”, thotë Trajçe.
Ai përmend praninë e mijëra flamingove, pelikanit kaçurrel dhe dhjetëra specieve të tjera të mbrojtura si dëshmi të gjendjes ekologjike të zonës.
“Po të ishte laguna në gjendjen që përshkruhet, këto specie nuk do të qëndronin aty. Prania e tyre është vetë treguesi shkencor i vlerës ekologjike të zonës” argumenton ai.
Krahasimi me Malin e Zi
“Duhet të shohim edhe shembujt e rajonit,” tha Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij duke iu referuar Malit të Zi.
Por Aleksandër Trajçe, thotë se shembulli i përdorur është i pasaktë.
“Në Mal të Zi ka një rast shumë të ngjashëm me Zvërnecin, Kriporja e Ulqinit, ku kishte plane të qarta zhvillimi, madje me përfshirjen e të njëjtit investitor që përmendet edhe në projekte të tjera në rajon. Aty u parashikua transformimi i një zone natyrore në një zonë elitare zhvillimi, por pas reagimit të fortë të shoqërisë civile, banorëve dhe komunitetit europian, planet u anuluan”
Sipas tij, ky është shembulli i vërtetë që duhet marrë në konsideratë, dhe jo rastet e monumenteve kulturore apo destinacioneve krejtësisht të ndryshme, siç është përmendur shpesh në debat publik.
“Krahasimi me raste si Shën Stefani nuk është i një natyre të ngjashme, sepse kemi të bëjmë me kontekste krejt të ndryshme ligjore dhe ekologjike,” shton Trajçe.
E ardhmja e zonës
Qeveria e sheh çështjen si një test për modelin ekonomik të Shqipërisë. Kryeministri e krahasoi projektin me investime të njohura turistike në Greqi, Kroaci dhe Mal të Zi dhe paralajmëroi se refuzimi i tij mund të trembë investitorët ndërkombëtarë.
“O do zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës, ose do zgjedhim një rrugë tjetër”, tha ai.
Për qeverinë, Pishë Poro-Narta është një mundësi historike zhvillimi.
Ndërsa për ambientalistët, është prova më e madhe se si Shqipëria do të trajtojë pasuritë e saj natyrore në prag të integrimit evropian.
Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Evropian reagoi për herë të parë për rastin e Pishë Poro-Nartës në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, duke konfirmuar se po e ndjek nga afër situatën dhe duke e lidhur atë me detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë për kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Ndërsa sot, Prokuroria e Posaçme konfirmoi se ka nisur hetime mbi mënyrën e përfitimit të tokave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, si edhe mbi procedurat e zbatimit të projektit për ndërtimin e resorteve turistike.
Koordinatorja për të drejtën e informimit pranë SPAK, i tha Faktoje se në këtë fazë që është hetimi i çështjes, nuk mund të ndahen të dhëna të tjera për publikun.







