Pretendimi: Elon Musk nis lëvizjen anti-Soros
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Lajmi se miliarderi afrikano-jugor Elon Musk ka nisur një lëvizje kundër miliarderit hungarez George Soros po qarkullon në media dhe rrjete sociale shqipfolëse. Artikujt citojnë Musk të ketë thënë se falë pasurisë së tij ai mund të “blejë e shesë” dhjetra herë mbështetësin e “shoqërisë së hapur”.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë.
Sipas pretendimeve, “Musk njoftoi se po nis një fushatë të plotë kundër George Sorosit dhe rrjetit të organizatave që filantropi miliarder ka mbështetur prej kohësh.”
Megjithatë, një njoftim i tillë nuk shfaqet ndokund në llogarinë zyrtare të Musk në X/Twitter, nga ku ai poston përditë dhe nuk ka hezituar më parë të flasë kundër miliarderit tjetër.

Në vitin 2023, Musk sulmoi Soros në një postim në X duke e akuzuar atë se e urrente njerëzimin, disa ditë pasi Soros zbuloi se kishte shitur një pjesë modeste të aksioneve të Teslës.
Megjithatë, deri më tani ai nuk ka njoftuar ndonjë “lëvizje anti-Soros.”
Artikujt dhe postimet në shqip citojnë një Jonathan Gregory si autor. Me këtë emër, Faktoje gjeti postimin që duket se ishte zanafilla e këtij lajmi të sajuar, postuar më 20 maj nga një profil i quajtur Jonathan Gregory.
Ky profil poston disa herë në ditë pretendime të jashtëzakonshme pa dhënë asnjë lloj prove për t’i mbështetur. Ndër to përfshihen pretendime se Sasha Obama lëshoi një deklaratë bombë se babai i saj, ish presidenti Barack Obama, vrau shefin e tij të kuzhinës; Hilary Clinton ka udhëruar vrasjen e njerëzve, përfshi Jeffrey Epstein; dhe administrata e Biden i dërgoi 2 milionë dollarë terroristit që komplotoi vrasjen e Ivanka Trump.
Faqja e kontaktit dhe informacionit bazë të Jonathan Gregory e përshkruan atë si “komedian”. Ditëlindja e tij shënohet si 1 Prilli, Dita e Gënjeshtrave.







