Trump nuk lexoi vjedhurazi shënimet e presidentit kinez Jinping

11

Pretendimi: Kjo video tregon presidentin amerikan Donald Trump duke shfletuar dosjen e presidentit kinez Xi Jinping 

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Një video nga vizita zyrtare e presidentit amerikan Donald Trump në Kinë po qarkullon në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se ajo tregon “Trump teksa i hedh një vështrim të shpejtë asaj që dyshohet se ishin shënimet ose dokumentet e Presidentit kinez Xi Jinping mbi tavolinë.”

Skena u xhirua më 14 maj gjatë një banketi shtetëror në Pekin, si pjesë e udhëtimit dy-ditor të presidentit amerikan në Kinë, që synonte lehtësimin e tensioneve midis superfuqive rivale.

Pamjet e banketit të transmetuara në kanalin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në YouTube tregojnë se dosja ishte tashmë në tavolinë përpara se udhëheqësit të uleshin.

Xi shihet duke u larguar nga tavolina rreth minutës 2:10 për të ngritur një dolli në podium. Trump shihet duke hapur dosjen në minutën 2:25 dhe duke e parë shkurtimisht.

Pasi Xi mbaroi fjalimin dhe u kthye në vend, Trump shtrëngoi duart me udhëheqësin kinez dhe e mori dosjen në fjalë me vete në podium, siç vërehet në klipin e mëposhtëm, të cilin Faktoje e shkëputi nga pamjet e drejtpërdrejta të transmetuesit shtetëror kinez Phoenix TV.

http://faktoje.al/wp-content/uploads/2026/05/Screen-Recording-2026-05-26-110015.mp4

Një detaj tjetër i dukshëm është emblema e stampuar në dosje. Ajo i ngjan Vulës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Në qendër, mund të shihet shqiponja amerikane kokëbardhë, shpendi kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Një krahasim midis pamjes nga klipi dhe vulës tregon se ato duken identike.

Pra, është e qartë se dosja i përkiste Trump, jo Xi Jinping. Trump me gjasa e hapi atë për t’i hedhur një sy fjalimit që do të jepte pak minuta më vonë.