Eteri nuk u fshi si element kimik sepse siguronte burim falas energjie

5

Pretendimi: Eteri u zbulua në shekullin e 19-të si një burim energjie i përdorur në të gjithë Botën, por u fsheh për interesa ekonomike

Verdikti: E Pavërtetë

Barbara Halla

Pretendimet që po riqarkullojnë në Facebook se “eteri” është hequr qëllimisht nga tabela periodike për të fshehur një burim “energji falas” nuk mbështeten nga asnjë provë shkencore apo historike. 

Siç e ka shpejguar Faktoje dhe më parë, kur këto postime filluan të shpërndaheshin në mediat sociale shqipfolëse, pretendimi i referohet një versioni të hershëm të tabelës së Dimitri Mendelejevit, i cili njihet si krijuesi i tabelës se elementeve. Përgjatë krijimit të versionit të parë të kësaj tabele në vitin 1869, kimisti rus kishte përfshirë hipotezën e “eterit ndriçues”, një ide e përhapur në fund të shekullit 19-të për të shpjeguar mënyrën se si përhapej drita në hapësirë.

Në atë periudhë, shumë shkencëtarë besonin se drita kishte nevojë për një medium për të udhëtuar, ashtu si tingulli përhapet në ajër. Për këtë arsye u propozua ekzistenca e një substance të padukshme të quajtur “eter”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se eteri ishte një element kimik i zbuluar apo i provuar. Ai ishte vetëm një koncept teorik, i cili më vonë u hodh poshtë nga zhvillimet në fizikë.

Eksperimenti i famshëm Michelson-Morley në vitin 1887 nuk arriti të gjente asnjë provë për ekzistencën e eterit. Më pas, teoria e relativitetit special e Albert Ajnshtajnit tregoi se drita mund të përhapet edhe në vakum, pa pasur nevojë për një medium të tillë. Kjo bëri që koncepti i “eterit ndriçues” të braktisej gradualisht nga komuniteti shkencor.

Pretendimi se eteri u “hoq” nga tabela periodike për interesa ekonomike ose për t’i hapur rrugë industrisë elektrike nuk mbështetet nga fakte historike. Në realitet, tabela periodike nuk përfshiu kurrë eterin si element të konfirmuar. Sot njihen 118 elemente kimike dhe secili prej tyre përcaktohet nga numri unik i protoneve në bërthamë. Nuk ekziston asnjë provë eksperimentale për një “element eter”.