Pretendimi: Kjo video tregon këngëtarin e ndjerë amerikan Michael Jackson, ose dikë që i përngjan shumë atij
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————–
Në 12 dhe 13 maj 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, u bë virale një video që dukej se tregonte dikë që i përngjante këngëtarit amerikan Michael Jackson, i cili ndërroi jetë në 2009.

Në disa raste, video shoqërohej me pretendimin se Jackson në të vërtetë është gjallë.

Megjithatë, kjo video nuk tregon as Michael Jackson as ndonjë person që i përngjan. Ajo është gjeneruar me anë të progameve të inteligjencës artificiale (AI).
Një tregues i origjinës së gjeneruar së videos është shkurtësia e videos 10-sekondëshe. Shumica e programeve AI i kufizojnë videot në një skenë të vetme që zgjat rrethe 8-10 sekonda. Kjo sepse, krahasuar me gjenerimin e imazheve, gjenerimi i videove është më i shtrenjtë, më kompleks dhe shumë më i vështirë për të vijuar krijimin e detajeve.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht në Instagram më 11 maj nga llogaria @promptkillers. “Prompt” quhen udhëzimet që përdoruesit i japin programeve AI për t’i treguar çfarë skene duhet të gjenerojë.

Video origjinale është etiketuar si AI kur është postuar.
Më tej, llogaria që e ka postuar vetëpërshkruhet si “portal i inteligjencës artificiale (AI)” dhe fton përdoruesit të përdorin “promptet” e saj dhe promovon një faqe që vetëpërshkruhet si “galeria më e mirë AI e Brazilit.”


Për më tepër, llogaria duket se poston ekskluzivisht përmbajtje të gjeneruara me AI, që përfshijnë Jackson dhe figura të tjera të famshme artistike, politike dhe sportive..

Më 13 maj, llogaria postoi një video tjetër të “Michael Jackson” me të njëjtën bluzë në autobus.

Në të vërtetë, Michael Jackson vdiq më 25 qershor 2009 nga mbidozimi me anestetikun propofol në Los Angeles, Kaliforni, në moshën 50 vjeç.






