Pretendimi: Kjo foto tregon presidentin sirian Ahmed al-Sharaa duke i shtrënguar dorën ish-ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock në vitin 2026.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon presidentin sirian Ahmed al-Sharaa duke i shtrënguar dorën ish-ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Ky imazh krahasohet me një më të hershëm, nga janari 2025, në të cilën al-Sharaa shfaqet duke refuzuar t’i japë dorën Baerbock, por duke ia dhënë homologut të saj francez, i cili ishte burrë. Megjithëse refuzimi në atë kohë provokoi reagime të shumta kundërshtuese, në postimet që qarkullojnë në rrjete sociale dy imazhet krahasohen për të theksuar hipokrizinë e pretenduar të al-Sharaa, i cili pretendohet se ka ndërruar parime në 2026, duke i dhënë tashmë dorën Baerbock.
Megjithatë, admiruesit e al-Sharaa nuk duhet të pezmatohen ende. Imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë, por është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).
Një kërkim pamor me Google Lens, konfirmoi se imazhet janë etiketuar si “Bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Me Google Lens, Faktoje gjeti edhe foton origjinale nga duket se është frymëzuar imazhi i mësipërm. Ajo tregon al-Sharaa duke shtrënguar duart me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Berlin më 30 mars 2026.

Foto origjinale
Ahmed al-Sharaa, i njohur më parë me pseudonimin e tij luftarak Abu Mohammad al-Julani dhe pjesë e organizatës terroriste Al-Kaida, po shërben si president i Sirisë që nga 2025. Ai udhëhoqi ofensivat e opozitës siriane që rezultuan në rënien e regjimit të Asadit gjatë luftës civile siriane. Më 3 janar 2025, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot u bënë diplomatët e parë të lartë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që vizituan Damaskun që nga rënia e Assadit, duke u takuar me al-Sharaa për të diskutuar një fillim të ri politik midis Evropës dhe Sirisë.
Annalena Baerbock shërbeu si ministre e Punëve të Jashtme e Gjermanisë nga 2021 deri në 2025. Që nga shtatori 2025, ajo mban pozicionin e Presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.






