Integrimi, Hoxha: IBAR nuk ka afat, mund të zgjasë edhe vite

Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka nxitur përplasje mes mazhorancës dhe opozitës

41

Sebi Alla– Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE përplasi edhe një herë mazhorancën që i konsideron “arritje të mëdha” dhe opozitën që e cilëson “dështim të plotë, deri në bllokim të procesit”. 

Debatet u zhvilluan gjatë raportimit në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme të ministrit Ferit Hoxha. 

“Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt. Progresi i dukshëm i vendit në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas”, tha kreu i diplomacisë shqiptare Ferit Hoxha, duke iu referuar kryesisht raportit IBAR. 

Lidhur me debatin nëse ka pasur apo jo bllokim të negociatave, më herët, Faktoje.al, përmes një kërkese iu drejtua zyrtarisht Komisionit Europian, i cili argumentoi se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në kriteret themelore, veçanërisht në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. 

“Komisioni ka paraqitur vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Pikave të Përkohshme, si dhe një draft të Qëndrimit të Përbashkët të BE-së për Klasterin 1 në Këshill. Tani u takon shteteve anëtare të bien dakord mbi një Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Klasterin 1, i cili do të përcaktojë standardet përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës,” sqaron KE për Faktoje, duke e lënë hapin vendimtar në duart e Këshillit të BE-së. 

Debatet

Ndërkohë, përfaqësues të opozitës ngritën shqetësimin në komision se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE jo vetëm ka ngecur, por sipas tyre rrezikojmë të kalojmë në hapa pas. “Vendet anëtare nuk e miratuan raportin IBAR. Pa miratimin e IBAR nuk mund të ecim në procesin e integrimit”, tha Tritan Shehu, deputet i opozitës, anëtar i këtij komisioni. 

Vërejtjeve të Tritan Shehut se Shqipëria është me vonesë për raportin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ministri i cilësoi si të pabaza, pasi sipas tij raporti nuk ka kufizim kohor. 

“Nuk ka pasur asnjëherë një kohë që IBAR për Shqipërinë duhet të mbushej për 6 javë përndryshe Shqipëria është me vonesë, mund të shkojë edhe 6 vjet. Nuk ka kufizim kohor. Ky ushtrim po bëhet për herë të parë, me këtë metodologji për Shqipërinë, duke vënë një standard për vendet e tjera”, tha Hoxha. 

Pa afat  

A ka realisht një kufizim kohor apo periudha është pa afat siç pretendon ministri Hoxha? 

Drejtori ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane Shqiptare”, Gledis Gjipali, është shprehur më heret për Faktoje se vetë IBAR është një instrument relativisht i ri dhe pa precedent të konsoliduar krahasimi. 

Ai thekson se metodologjia e re e zgjerimit nuk parashikon afate të përcaktuara për fazat e procesit. “Në metodologjinë e re nuk përcaktohen afate për asnjë nga hapat, pasi gjithçka është në varësi të ecurisë së vendit përkatës”, shpjegon ndër të tjera Gjipali.

IBAR 

Deri në fund të vitit 2025, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt e negociatave me BE-në sipas metodologjisë së re, por kjo fazë nuk përbën përmbyllje të procesit, pasi sfida kryesore mbetet përmbushja e piketave të ndërmjetme dhe përfundimtare në Kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. 

Në këtë kuadër, Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR) është mekanizmi teknik që lidh fazën e hapjes së kapitujve me atë të mbylljes së tyre. Ai vlerëson nëse Shqipëria i ka përmbushur kushtet, por vendimi përfundimtar mbetet politik dhe kërkon konsensus mes shteteve anëtare në Këshillin e BE-së.