Etiketimet gjinore, nga ekranet në realitetin shqiptar

19

Lea Allkoja

Në disa edicione të ‘reality shows’ formate që, në mënyrën si ndiqen dhe komentohen, sidomos online, në vendin tonë, zbulohen shpesh prirjet dhe mendimet e njerëzve, gjuha e përdorur nga shumë individë që diskutojnë në rrjete sociale, zbulon dy standarde: kur në qendër të diskutimit ndodhet një djalë ose burrë, standardi i gjykimit ndryshon përkundrejt standardit që përdoret për një vajzë apo një grua.

Ka dallim të madh në mënyrën se si vlerësohen apo gjykohen veprime, të cilat formati, në mos i kërkon, të paktën i lejon, në bazë të gjinisë së personit që i kryen ato. Është vënë re se në këto formate banorët djem ose burra zakonisht marrin epitete të llojit Mbret, Luan, Strateg, ndërsa Dhelpër, Gjarpër e Mendjemadhe rezervohen për banoret gra dhe vajza. 

Një veprim moralisht i dënueshëm si mashtrimi, jo vetëm që ka tendencën të falet e të harrohet më shpejt, kur prodhohet nga sjellja e një burri, por edhe përflitet si një cen i papërfillshëm. Inteligjenca e një vajze nga ana tjetër, nuk mund të jetë e admirueshme aspak, në rast se nuk shoqërohet nga një karakter moral i pafajshëm. 

Shpesh kalon pa u vënë re një fjalor që, gjithmonë, tek burrat respekton e mbështet disa karakteristika dhe sjellje, të cilat i qorton fort tek gjinia e kundërt. Megjithatë, gjuha është shumë e rëndësishme në ndërtimin e mendimeve tona e këto mendime kufizojnë botën tonë. Realiteti në të cilin një veprim konsiderohet i gabuar vetëm për shkak të gjinisë së personit që e kryen atë, përveçse krijon konfuzion, edhe paralizon. 

Një studente në vitin e tretë shprehet se trajtimi i ndryshëm nis që në familje. Samira dhe dy motrat e saj janë mësuar dhe kanë bërë paqe me faktin se vëllai i tyre po rritet nga “prindër të tjerë”, që janë bërë më mirëkuptues dhe mbështetës për djalin. 

Gjatë viteve të saj të gjimnazit në Vlorë, ajo ka vënë re ndryshim edhe në trajtimin që i bën personeli i shkollës fenomeneve të tilla si përdorimi i fjalorit të papërshtatshëm.. Fjalë përgjithësisht të ashpra dhe shprehje të tipit “Je edhe vajzë!”, “Nuk ju vjen turp?! Jeni vajza!” janë përdorur sikur problemi të gjendej jo tek fjalori i papërshtatshëm apo materiali i palejuar, por tek gjinia e personit që e kryen veprimin e gabuar. Turp për fjalorin dhe për të qeshurën me zë të lartë.

Një realitet i tillë e ka bërë të hezitojë shumë më herët se të krijonte një profil të vetin në rrjetet sociale, duke menduar se do gjente të njëjtën atmosferë edhe aty. Frikërat iu vërtetuan shpejt dhe Samira zbuloi se diskriminimi apo bullizimi ishte edhe më agresiv. 

Ndërsa Redona, edhe ajo një studente, thotë se, përderisa një gjë e bën të ndihet mirë dhe e plotësuar, ajo nuk stepet nga perceptimi që mund të krijojnë njerëzit e tjerë për të. Megjithatë, vë re shpesh faktin se djemtë inkurajohen edhe në përpjekjet më minimale, ndërsa vajzat ndodh të mos vlerësohen as për përpjekjet apo arritjet maksimale. Ajo gjithashtu ndjen një presion më të madh për të hequr dorë nga ëndrrat që ka për të ardhmen, krahasuar me bashkëmoshatarët e saj të gjinisë tjetër. 

Rozalinda u shpreh që ndihet keq për shoqen e saj, e cila po mundohet të ndërtojë një karrierë si këngëtare, ndërsa është studente në Akademinë e Arteve, sepse, për shkak të gjinisë nuk e marrin seriozisht aq sa duhet dhe nuk e respektojnë gjatë komunikimit njësoj sa kolegët e saj burra. Gjithashtu, suksesi në këtë fushë shihet automatikisht si kërcënim ose pamundësi për krijimin e një familjeje. 

Helena, studente në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, tregon se që në moshë të vogël ka spikatur për mënyrën e saj të të folurit, diksionin e pastër dhe artikulimin e qartë. Si rrjedhojë, i janë besuar projekte të ndryshme për t’i moderuar. Ajo thotë: “Pas mbylljes së çdo programi, merrja gjithmonë përgëzime për punën e bërë dhe të pranishmit mbeteshin të kënaqur. Kështu, brenda meje filloi të kristalizohej një ëndërr, një projektim i vetes sime disa vite më vonë.”

Megjithatë, Helena tregon se kjo mbështetje u ndoq shumë herët nga disa paralajmërime: “Më habit dhe njëkohësisht më trondit largpamësia e tyre e vetëshpallur: gatishmëria për të paracaktuar, për të vulosur dhe interpretuar paraprakisht karakterin tim të ardhshëm. Një bindje e palëkundur se, nëse një ditë do të jem aty, kjo nuk mund të jetë veçse rezultat i “shërbimeve të tjera”. Të tilla paralajmërime ma kanë tkurrur thirrjen e brendshme, që zemra ime do të donte ta ndiqte… Megjithatë, edhe në skenarin më të mirë, nëse puna ime do të jetë fryt i aftësisë sime, gjykimi do të më paraprijë.” 

Helena e mbyll me një pyetje: “A keni dëgjuar t’i thuhen një djali këto fjalë kaq “motivuese” apo ne vajzave na mbajnë “me të mira?”

Profesoreshë Dhurata Shehri na sjell në vëmendje konceptin e Roland Barthes-it për “mitet” si kuptime të natyralizuara. Pohime të llojit “burrat janë liderë natyralë” dhe “gratë janë përkujdesëse” mund të përdoren për të ulur apo sulmuar një grup, duke u kthyer kështu në një diskurs urrejtjeje. Nga shprehje të pafajshme, këto fjali shndërrohen në realitete të padiskutueshme që tërheqin pas tyre një vlerë ideologjike. 

Duke e lidhur edhe me rastin e studentes më sipër, nëse një burrë ka një rol drejtuesi, ai është duke përmbushur potencialin e tij, ndërsa një grua paragjykohet se me siguri ka ndjekur një rrugë tjetër të dyshimtë për të arritur tek i njëjti rol.

Për dukuritë e përmendura më sipër profesoreshë Shehri na jep një mënyrë artikulimi nëpërmjet asaj që quhet “Framing Theory”. Media nuk tregon fakte, por zgjedh mënyrën se si i paraqet ato. Burri “reagoi ashpër”, ndërsa gruaja “shpërtheu emocionalisht”. Në rastin e parë reagimi vjen si pasojë, ndërsa në rastin e dytë e njëjta gjë ndodh për shkak të tipareve karakteristike të gjinisë që po vepron. 

“Nëse do të mendonim një shekull më parë për gra që marrin pjesë në misione rreth Hënës, kjo të dukej e pamundur.”, – shprehet psikologia Estela Pemaj. “Pavarësisht këtij zhvillimi, vazhdojmë të hasim stereotipe.”. Ajo vë në dukje rëndësinë e edukimit emocional, meqë e sheh individin e informuar dhe të edukuar si të aftë për të kontribuar në uljen e stereotipeve dhe gjykimeve pa baza. 

Ajo shton se “etiketimet mund të ndikojnë negativisht në vetëvlerësim, duke krijuar idenë se shprehja e vetes nuk është e pranueshme, gjë që sjell pasiguri, izolim social dhe dyshim tek vetja.” Por kjo nuk është përgjigjja e vetme, “në disa raste, individi mund të reagojë ndaj këtyre etiketimeve, duke u bërë edhe më arrogant, si mënyrë për t’u përballur me gjykimin e të tjerëve.”

Sipas psikologes, në fund, mënyra si reagojmë ndaj këtyre gjykimeve është në dorën tonë, por po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia që ka shoqëria në mënyrën si etiketon dhe si ndikon tek individi.

“Shoqëria” është një term i gjerë, që përfshin si komunitetin që rrethon Helenën, edhe prindërit e Samirës, edhe ekranin në të cilin ato dhe ne shpenzojmë orë nga dita jonë. Ndryshimi nuk është i thjeshtë, por nëse mungon vetëdija, bëhet i pamundur. 

Ky shkrim është realizuar me mbështetjen e iniciativës rajonale të Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, i financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.

Përmbajtja e këtij shkrimi dhe opinionet e shprehura në të, janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara, përfshirë UNDP, UNFPA, UNESCO, UN Women, ose Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.