E rreme deklarata e Erdogan për nisjen e luftës me Izraelin

11

Pretendimi: Presidenti turk Erdogan ka deklaruar në prill 2026 se nëse dështojnë bisedimet mes ShBA dhe Iranit, Turqia do të futet në luftë kundër Izraelit

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Një video e presidentit turk Erdogan po shpërndahet në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse në prill 2026 me pretendimin se Erdogan ka kërcënuar se nëse dështojnë bisedimet mes ShBA dhe Iranit, Turqia do të futet në luftë kundër Izraelit. Një nga këto postime që shton më tepër situatën e ankthit është parë mbi 400 mijë herë nga përdoruesit.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga fjalimi i Erdoganit në Konferencën Ndërkombëtare të Partive Politike Aziatike (ICAPP) më 10 prill 2026 në Stamboll.

Klipi që po qarkullon në rrjete sociale fillon në minutën 7:10 të videos së plotë të fjalimit, ku dëgjohet Erdogan duke folur për shkeljet e armëpushimit nga Izraeli në Liban: 

“Në ditën kur u shpall armëpushimi, Izraeli vrau brutalisht 254 libanezë. Ky rrjet gjenocidal, i verbuar nga gjaku dhe urrejtja, vazhdoi të vriste fëmijë, gra dhe civilë të pafajshëm, duke shpërfillur të gjitha vlerat njerëzore dhe duke injoruar të gjitha rregullat dhe parimet.”

Siç vërehet, në asnjë pjesë të këtij klipi, Erdogani nuk përmend as bisedimet mes Iranit dhe ShBA, as ndonjë kërcënim se Turqia do sulmojë Izraelin.

Mediat turke e mbuluan fjalimin e Erdogan, por asnjëra nuk përmendi ndonjë kërcënim për të sulmuar Izraelin.

Qeveria turke lëshoi ​​gjithashtu një sqarim12 prill, duke thënë se Erdogan nuk bëri asnjë koment mbi pushtimin ose sulmin ndaj Izraelit.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që synonin të gjenin një zgjidhje të përhershme për konfliktin që filloi midis dy vendeve, përfunduan pa rezultat në Islamabad më 12 prill. Negociatat vazhduan për 21 orë, por nuk mundën të jepnin ndonjë rezultat.

Pak ditë më parë, në 12 prill, gazeta britanike Daily Telegraph u detyrua të kërkojë falje dhe fshijë një tjetër artikull që i atribuonte në mënyrë të rreme deklarata nxitëse lufte me Izraelin Erdoganit. Raporti citonte presidentin turk të thoshte: “Ashtu siç hymë në Libi dhe Karabak, mund të hyjmë në Izrael”, deklarata që i përkisnin një fjalimi të vitit 2024. Kryeredaktori i gazetës pranoi se citimet ishin “të vjetra ose plotësisht të sajuara”.