Portet turistike pa garë, BE paralajmëron: Shqipëria t’i përmbahet angazhimeve

Delegacioni i BE-së thotë se ndryshimet janë në vlerësim, duke theksuar se koncesionet duhet të jepen përmes procedurave transparente dhe konkurruese

42
Foto ilustruese: Porto Romano

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë thekson se ndryshimet janë në vlerësim dhe se koncesionet duhet të jepen përmes procedurave transparente dhe konkurruese. Shqipëria paralajmërohet të mos devijojë nga angazhimet e saj në procesin e integrimit.

Esmeralda Topi

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë reagoi pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për portet turistike”, duke vënë në dukje se nisma duhet të kalojë në filtrin e standardeve europiane dhe të angazhimeve që Shqipëria ka marrë në procesin e integrimit. 

Në një përgjigje për Faktoje, Delegacioni thekson se ndryshimet janë tashmë në vlerësim, me fokus të veçantë te prokurimi publik dhe përputhshmëria me acquis të BE-së, që kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe portet.

“Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet”, shprehet zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian. 

Delegacioni thekson se ndryshimet e reja përfshijnë elementë nga ligji për investitorët strategjikë, një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë në kuadër të reformave dhe përmbushjes së kritereve për mbylljen e Kapitullit 27. 

“Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”, paralajmëron Delegacioni i BE-së. 

Çfarë parashikojnë ndryshimet?

Kuvendi miratoi të enjten e shkuar me 76 vota të mazhorancës nismën ligjore që lejon dhënien pa garë të porteve turistike, në rastet kur ato janë pjesë e një investimi strategjik.

Sipas ndryshimeve, nëse një port turistik përfshihet në një projekt të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ai nuk do t’i nënshtrohet më procedurave konkurruese të koncesionit. Në vend të kësaj, investitori strategjik do të ketë të drejtë ta ndërtojë dhe operojë portin drejtpërdrejt, ndërsa kushtet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në relacionin shoqërues, nisma argumentohet me nevojën për të shmangur mbivendosjet mes ligjit për portet turistike dhe atij për investimet strategjike, të cilat sipas autorëve kanë sjellë vonesa dhe paqartësi. Megjithatë, vetë dokumenti thekson se projektakti nuk synon përafrim të drejtpërdrejtë me acquis të BE-së.

Debati është lidhur edhe me një rast konkret, investimin e parashikuar në ishullin e Sazanit nga një kompani e përfaqësuar nga Jared Kushner. Deputetja socialiste Zamira Sinaj e përdori këtë shembull për të justifikuar ndryshimet, duke theksuar se ato do të lehtësonin investimet strategjike në turizëm.

“Ligj me porosi” dhe në kundërshtim me BE-në

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka kundërshtuar fort këtë nismë, duke e cilësuar si një ligj që cenon standardet europiane dhe favorizon interesa të veçanta.

“Ndryshimi i fundit që vjen në Parlament, është në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si dhe të 3 kapitujve të legjislacionit të BE-së. 5, 8 dhe 14. Nuk është gjë e re që ligjet që kalojnë në Kuvendin e Shqipërisë janë me porosi, që mbrojnë interesat e veçanta, por ky është i 18-ti në radhën e ligjeve që vijnë me porosi”, deklaroi Tabaku pak para miratimit të ligjit në seancën plenare. 

Sipas Tabakut, dhënia e aseteve publike pa garë cenon konkurrencën e ndershme dhe bie ndesh me parimet që kërkon Bashkimi Europian për vendet aspirante.

Rrezik për konkurrencën

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e sheh këtë ndryshim si pjesë të një modeli më të gjerë problematik që lidhet me statusin e “investitorit strategjik”. Sipas tij, ky mekanizëm është përdorur për të favorizuar aktorë të caktuar, duke shmangur konkurrencën dhe duke krijuar përfitime të pamerituara. 

“Argumenti kryesor është se ky status u siguron bizneseve të përzgjedhura përfitime të pamerituara si përjashtime nga taksat, shpronësime të tokave dhe shmangie nga konkurrenca, duke anashkaluar parimet kushtetuese të garës së lirë” thekson Preçi për Faktoje. 

Ai paralajmëron se ndryshimet e fundit e përforcojnë këtë praktikë.

“Amendimet e propozuara e përforcojnë këtë praktikë duke u dhënë investitorëve të dyshimtë mundësinë të marrin edhe portet bregdetare, pa një master plan kombëtar për zhvillimin e tyre” argumenton Preçi. 

Përfundim

Edhe pse Delegacioni i Bashkimit Europian nuk e cilëson drejtpërdrejt si shkelje të MSA-së ligjin e miratuar, ai thekson qartë se procedurat për dhënien e koncesioneve duhet të jenë transparente dhe konkurruese, si dhe se Shqipëria duhet të shmangë çdo hap që bie ndesh me angazhimet e saj.

Në këtë kontekst, shqetësimet e ngritura nga deputetja demokrate Jorida Tabaku për mungesë gare dhe përputhshmëri me standardet europiane gjejnë mbështetje në qëndrimin e BE-së, dhe deklaratën e saj e kategorizojmë të vërtetë.