Pretendimi: Aktori amerikan Mel Gibson ka zbuluar një version alternativ të historisë së krishtërimit në Biblën e Kishës Ortodokse Etiopiane Tewahedo
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se ajo që Mel Gibson zbuloi në një Bibël të Lashtë, lart në malet e Etiopisë, në Kishën Ortodokse Etiopiane Tewahedo, “po ngre pyetje serioze.”

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë.
Kanuni biblik Ortodoks Tewahedo, qujtur edhe Bibla Etiopiane, është një version i Biblës së Krishterë që përdoret në dy kishat ortodokse orientale të traditës Etiopiane dhe Eritreane: Kishën Ortodokse Etiopiane Tewahedo dhe Kishën Ortodokse Eritreane Tewahedo.
Bibla Etiopiane, e konsideruar si Bibla më e vjetër e plotë e njohur është shkruar në Ge’ez, një gjuhë e lashtë semite që përdoret ende në liturgjinë etiopiane. Ndryshe nga kanonet biblike perëndimore, Bibla Etiopiane përmban 81 libra, duke përfshirë tekste që nuk gjenden në traditat e tjera të krishtera, të tilla si Enoku, Jubilejtë dhe Meqabyan. Kjo e bën atë kanunin biblik më të madh dhe më të larmishëm në krishtërimin tradicional.
Kjo Bibël pasqyron zhvillimin unik të Krishtërimit në Etiopi, ku besimi u bë fe shtetërore në shekullin e IV nën mbretin Ezana. Kisha Ortodokse Etiopiane Tewahedo mban një kanon biblik që ruan traditat e hershme hebraike dhe të krishtera, disa prej të cilave humbën në vende të tjera. Dorëshkrimet zakonisht janë të lidhura me lëkurë, të shkruara në pergamenë të bërë nga lëkurat e kafshëve dhe të ruajtura në bibliotekat manastirore.

Një prift brenda kishës Abuna Yemata Guh në rajonin Tigray të Etiopisë, duke mbajtur një dorëshkrim të lashtë të ilustruar.
Bibla Etiopiane ofron një pamje të rrallë se si komunitetet e hershme të krishtera jashtë Perandorisë Romake përpiluan dhe transmetuan tekste të shenjta. Mbijetesa e saj në mjedise të largëta monastike ka ndihmuar në mbrojtjen e kanunit të saj dallues nga ndryshimet që formësuan traditat e tjera biblike.
Nuk dihet nëse ekziston në këtë kohë një përmbledhje e vetme e botuar. Disa libra, megjithëse konsiderohen kanonikë, janë të vështirë për t’u gjetur dhe nuk janë gjerësisht të disponueshëm as në Etiopi dhe Eritre.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë apo raportim të besueshëm se aktori amerikan Mel Gibson ka bërë ndonjë zbulim në këto libra. Gibson nuk ka njoftuar asgjë të tillë në rrjetet e tij sociale.






