Pretendimi: Një anije ushtarake amerikane u shkatërruar nga raketat iraniane në brigjet e Jemenit
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Në kulmin e sulmeve me raketa dhe kërcënimeve për zhdukje të ndërsjelltë mes SHBA-Izrael dhe Iranit, në rrjetet sociale është publikuar lajmi i fundosjes së anijes amerikane USNS Robert E. Peary, e cila po lundronte afër Jemenit. Ky postim shoqërohet me një video të pamjeve të shkatërrimit që komentohen nga një gazetar aziatik.

Verifikimet e mëtejshme zbulojnë se lajmi se anija USNS Robert E. Peary është shkatërruar nga Irani qarkullon në rrjetet sociale që prej dy javesh. Ky lajm është përdorur nga llogari të ndryshme kryesisht anonime për të pretenduar se Irani po e fiton luftën ndaj Amerikës dhe se kjo e fundit pritet të dorëzohet së shpejti.

Burimi i lajmit në rastin e postimit të mësipërm në Twitter/X, është një video e gjeneruar me inteligjencë artificiale në frengjisht. Video të ngjashme, të cilat raportojnë të njëjtin lajm, ekzistojnë në gjuhë të ndryshme përmes rrjetit. Ato mund të dallohen nga ngjyrat e forta, të cilat nuk kanë një aspekt natyral, apo nga lëvizjet e ngadalshme të personazheve që flasim. Për më tepër, kur bëhen kërkime në internet për identitetin e këtyre “gazetarëve” në YouTube, nuk rezulton asnjë e dhëna mbi ekzistencën e tyre.
Qeveria amerikane nuk ka konfirmuar që anija USNS Robert E. Peary të jetë sulmuar nga Irani apo një forcë tjetër. Shkatërrimi i një luftanijeje nuk mund të kalonte në heshtje nga opozita në Kongres apo edhe burimeve të pavarura mediatike.
Në fakt, sipas faqes Marine Traffic, e cila ndjek zhvendosjen e anijeve të ndryshme, para dy ditësh (më 7 prill 2026) USNS Robert E. Peary është ende në funksion dhe ajo gjendej larg Jemenit. Vendnodhja e fundit e anijes është Deti i Karaibeve, në portin Frederiksted që i përket SHBA-së dhe jo Lindjes së Mesme.







