Pretendimi: Shkatërrimi i një avioni nga përplasja me një makinë zjarrfikëse në New York provon se avionët që u përplasën me Kullat Binjake më 11 shtator 2001 nuk mund t’i kishin rrëzuar ato ndërtesa.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Përplasja vdekjeprurëse e një avioni me një makinë zjarrëfikëse në New York, më 22 mars 2026 po përdoret nga konspiracionistët për të ‘provuar’ se sulmet e 11 shtatorit 2001 që shkatërruan Kullat Binjake ishin të inskenuara.

Më 22 mars 2026, dy pilotë u vranë dhe dhjetëra persona u plagosën kur një aeroplan i Air Canada goditi një kamion zjarrfikës në pistën e aeroportit LaGuardia. Aksidenti ndaloi fluturimet, me avionin Bombardier të mbetur të anuar prapa në bisht, dhe kabinën e tij të shkatërruar.
Ndërkaq, afro 3 mijë njerëz vdiqën në sulmet e 11 shtatorit 2001, gjatë të cilave mbështetës të Al-Qaeda rrëmbyen aeroplanë dhe i përplasën me Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe në Pentagon. Një avion i katërt u rrëzua në shtetin e Pensilvanisë pasi pasagjerët dhe ekuipazhi luftuan me pengmarrësit.
Sipas ekspertëve të aviacionit është e gabuar të nxirren përfundime rreth 11 shtatorit nga aksidenti i LaGuardias, i cili përfshinte një avion më të vogël që lëvizte shumë më ngadalë se avionët që rrëzuan Kullat Binjake dhe nuk gjeneroi një shpërthim.
“Nuk ka absolutisht asnjë arsye për të marrë ndonjë informacion nga rrëzimi në LaGuardia për të mbështetur çfarëdo që ndodhi më 11 shtator”, tha për AFP Shaën Pruchnicki, një profesor asistent në Qendrën për Studime të Aviacionit të Universitetit Shtetëror të Ohio, i cili më parë ka punuar si pilot avioni dhe është trajnuar në hetimin e aksidenteve. “Janë dy situata krejtësisht të ndryshme nga një çështje energjie kinetike, nga shpejtësia e përplasjes dhe fakti që nuk kishte zjarr.”
Përplasja në LaGuardia, është ende nën hetim. Sipas Air Canada, aeroplani i përfshirë ishte një Air Canada Express Mitsubishi CRJ900, i cili ka një peshë maksimale uljeje prej afërsisht 34,065 kg. Avioin mbante 72 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.
Videopamjet tregojnë se aeroplani ishte ulur dhe po lëvizte në pistë kur u përplas me kamionin e zjarrfikjes. Organizatat e lajmeve kanë raportuar shpejtësi të ndryshme për aeroplanin në momentin e përplasjes, nga 48 deri në 169 km/orë.
“Ata po e ngadalësonin aeroplanin,” tha Pruchnicki, i cili shtoi se pilotët me shumë mundësi do të kishin aplikuar edhe “frenimin maksimal.”
Zjarrfikësja e përfshirë në përplasje u dëmtua rëndë ndërsa u përmbys në anë dhe u zvarrit nëpër pistë. Dy zjarrfikës që kishte brenda u plagosën.

Kamioni zjarrfikës i dëmtuar qëndron pranë pistës pasi u përplas me një Air Canada Express CRJ-900 në Aeroportin LaGuardia në Nju Jork, më 23 mars 2026. Foto: AFP / Timothy A. Clary)
Në të kundërt, avionët që goditën Kullat Binjake më 11 shtator ishin avionë Boeing 767, sipas Raportit të Komisionit të 11 shtatorit botuar në 2004 dhe raportit të Institutit Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) të publikuar në 2005.
Raporti i NIST vlerësoi se pesha në momentin e përplasjes së fluturimit të American Airlines që goditi kullën e parë ishte 128,638 kg dhe avioni po lëvizte me 708 km/në orë. Avioni i dytë, i operuar nga United Airlines, kishte të njëjtën madhësi dhe udhëtonte me 869 km/orë.
Dallimi “i jashtëzakonshëm” në madhësi dhe shpejtësi në krahasim me përplasjen e LaGuardia do të përkthehej në shumë më tepër energji kinetike, energjinë që një objekt mbart për shkak të lëvizjes së tij, tha Pruchnicki. “Nga pikëpamja e energjisë kinetike, nuk ka asnjë krahasim midis të dyjave,” tha ai. “Madhësia është astronomike.”
Ai e krahasoi situatën me aksidentet automobilistike, ku një përplasje nga një automjet i vogël që lëviz ngadalë do të ishte dukshëm më pak katastrofike sesa një përplasje me një kamion me shpejtësi maksimale.
Joris Melkert, një lektor në Universitetin e Teknologjisë Delft në Holandë, u pajtua se krahasimi i 11 shtatorit me incidentin e LaGuardia “nuk ka shumë kuptim”.
“Energjia kinetike rritet në mënyrë lineare me masën dhe në mënyrë kuadratike me shpejtësinë dhe kështu potencialin për të shkaktuar dëme në objektin tjetër,” tha Melkert për AFP. “Nuk do të habitesha nëse sasia e energjisë së përfshirë në rastin e [11 shtatorit] do të ishte në rendin e 10 herë më e lartë se në rastin e Air Canada.”
Pretendimet që përdorin aksidentin në LaGuardia për të vënë në pikëpyetje shembjen e Kullave Binjake gjithashtu shpërfillin shpërthimin e karburantit të avionëve të rrëmbyer, tha Pruchnicki.
“Komponenti i tretë është sasia e karburantit që u përdor më 11 shtator, e cila nuk ishte pjesë, padyshim, e LaGuardias,” tha ai. “Kjo ishte e rëndësishme dhe ishte faktori i fundit që rrëzoi kullat.”
Aeroplanët e komanduar nga rrëmbyesit e Al-Kaedës prenë dritaret prej xhami të kullave dhe dëmtuan komponentët strukturorë. Megjithatë, raporti i NIST në 2005 tha se kullat “do të kishin mbetur në këmbë nëse nuk do të ishte për izolimin e zhvendosur dhe zjarret pasuese në shumë kate”.
Zjarret shkaktuan varjen e dyshemeve dhe dobësimin e kolonave kryesore derisa ato kolapsuan, tha raporti.
“Eventualisht ato struktura, ato pak që kishin mbetur, nuk ishin më në gjendje të mbështesnin ndërtesën sipër saj, kështu që ndërtesa u shemb,” tha Pruchnicki.
Popullariteti i teorive konspirative mbi sulmet e 11 shtatorit shpjegohen nga akademikët si pasojë e mosdashjes së pranimit të realitetit. Në 11 shtator 2001, paprekshmëria e një superfuqie botërore si ShBA u cënua. Kjo provokoi frikë, pasiguri dhe ndjenja pafuqie jo vetëm tek shtetasit amerikanë, por edhe tek një botë e tërë që pa një gjigand të plagosej. Kjo ‘lëkundje’ ishte e papranueshme për shumë njerëz, që zgjodhën të besojnë, më mirë, se ‘e keqja’ vinte nga dikush i zëvendësueshëm si presidenti i atëhershëm George W. Bush.
“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime të rreme mbi 11 shtatorin 2001.






