Pretendimi: Kanadaja kriminalizoi Biblën me një projekligj të ri kundër urrejtjes
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se ligjvënësit kanadezë kanë miratuar një projektligj që kriminalizon Biblën.

Megjithatë, ky pretendim është i rremë. Projektligji në fjalë, i njohur si “C-9”, nuk ndalon leximin publik të Biblës ose citimet nga Bibla, që mund të cilësohen si shkelje të besimit fetar.
Projektligji C-9,i titulluar zyrtarisht “Një Akt për të ndryshuar Kodin Penal (propagandën e urrejtjes, krimin e urrejtjes dhe aksesin në vendet fetare ose kulturore)” do të bënte disa ndryshime në Kodin Penal, duke përfshirë shfuqizimin e një mbrojtjeje të bazuar në shprehjen e opinioneve mbi tema ose tekste fetare për vepra penale që përfshijnë promovim të qëllimshëm të urrejtjes ose antisemitizmit.
Sipas Kodit Penal të tanishëm të Kanadasë, Seksioni 319 përfshin vepra penale të propagandës së urrejtjes, si dhe disa mbrojtje. Midis tyre është një mbrojtje për dikë që, me mirëbesim, shpreh një opinion mbi një temë fetare ose bazuar në një besim në një tekst fetar. Projektligji C-9 do ta hiqte atë mbrojtje.
Asgjë në projektligjin C-9 nuk thotë se leximi i Biblës në publik, postimi i vargjeve biblike në internet ose citimi i saj bëhet automatikisht krim. Në fakt, projektligji thotë se deklaratat mbi çështje me interes publik, duke përfshirë deklaratat fetare të bëra në diskutime, botime ose debate, nuk ndalohen përveç nëse ato “nxisin me dashje urrejtje kundër një grupi të identifikueshëm”.
Projektligji e përcakton urrejtjen si “një emocion me natyrë intensive dhe ekstreme që shoqërohet qartë me shpifje dhe përçmim”, dhe thotë se një vepër penale nuk motivohet nga urrejtja vetëm sepse “diskrediton, poshtëron, lëndon ose ofendon”.
Yves-François Blanchet, udhëheqësi i partisë Bloc Québécois, e paraqiti projektligjin në Parlamentin e Kanadasë më 28 nëntor 2023. Në një debat në Parlamentin Kanadez në atë kohë, Blanchet i tha kryeministrit të atëhershëm Justin Trudeau se projektligji ishte në përgjigje të kërcënimeve kundër komunitetit hebre.
“Z. Kryetar, në Montreal janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri gjatë ditëve të fundit. Janë thyer dritaret dhe janë shkruar grafite posaçërisht kundër komunitetit hebre”, tha Blanchet. “Ekzistojnë frikëra se këto veprime janë inkurajuar në një farë mënyre nga një përjashtim në kodin penal që lejon gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës.”
Zëdhënësja e Bloc Québécois, Joanie Riopel, tha për AFP në 2024 se legjislacioni do të hiqte përjashtimet fetare për krimet e nxitjes publike të urrejtjes dhe promovimit të qëllimshëm të urrejtjes dhe antisemitizmit. “Projektligji parashikon heqjen e paragrafëve … të Kodit Penal Kanadez, të cilët lejojnë këdo të fshihet nën petkun e fesë në kontekstin e nxitjes publike të urrejtjes”, konfimroi zëdhënësja.
Ajo tha se Blanchet e paraqiti projektligjin pasi një imam i bëri thirrje Zotit të “shfarosë” “armiqtë e popullit të Gazës” ndërsa drejtonte një lutje në një demonstratë pro-palestineze në Montreal në tetor 2023. Mediat lokale raportuan se fjalimi shkaktoi shqetësime për dhunën.
Projektligji C-9 kaloi leximin e tretë në Dhomën e Komunave më 25 mars 2026, mori leximin e parë në Senat më 26 mars dhe, deri në momentin e shkrimit të këtij teksti, ishte në leximin e dytë në Senat. Me fjalë të tjera, ai është ende duke kaluar nëpër procesin legjislativ dhe ende nuk ka hyrë në fuqi.

Projektligji është ende në procesin legjislativ, dhe ende nuk është bërë ligj






