Si ta kuptojmë paralajmërimin e ambasadës amerikane për rrezikun Iranian?

Autoritetet shqiptare qetësojnë situatën ndërkohë opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

32

Ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroi qytetarët amerikanë për rrezikun e sulmeve iraniane, por autoritetet shqiptare, këmbëngulin se nuk ka vend për shqetësim. Opozita kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, teksa socialistët kërkuan të mos krijohet panik dhe të mos politizohet çështja. Shqipëria ka strehuar muxhahedinët në Manzë, ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe së fundmi, parlamenti e shpalli vendin si sponsor të terrorizmit.

Esmeralda Topi

Pasditen e 1 prillit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë lëshoi një paralajmërim për qytetarët amerikanë që jetojnë ose vizitojnë Shqipërinë, duke bërë thirrje për vigjilencë të shtuar pas shqetësimeve për grupe të lidhura me Iranin. Sipas njoftimit, këto grupe mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.

Ambasada paralajmëroi se vendet e zakonshme, si zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante, mund të jenë në shënjestër. 

“Të qëndrojnë të vëmendshëm në çdo moment. Të jenë të vetëdijshëm për rrethinën ku ndodhen,” thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës amerikane.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i autoriteteve shqiptare. Pyetur nga Faktoje, Agjencia për Media dhe Informim, sqaroi se Ambasada Amerikane lëshon shpesh alarme të tilla, por institucionet ligjzbatuese shqiptare nuk kanë asnjë informacion për rrezik konkret.

“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane,” i tha MIA Faktojes një ditë më parë.

Edhe një vëzhgim i kryer (mbrëmë pas njoftimit) nga “Faktoje” tregoi se nuk kishte masa të shtuara të policisë apo patrullime të jashtëzakonshme në rrugët kryesore, pranë Bashkisë Tiranë, ministrive, kryeministrisë, Kuvendit apo Presidencës. 

Hamendësim apo rrezik konkret?!

Një ditë pas paralajmërimit, Faktoje pyeti ambasadën nëse alarmi ishte vetëm një hamendësim apo një rrezik konkret. Zyrtarët e SHBA-së sqaruan:

“Administrata Trump nuk ka prioritet më të lartë sesa siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po punojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e SHBA-së vlerëson bashkëpunimin e ngushtë për çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka treguar një angazhim të vazhdueshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm”

Pasi ambasada amerikane theksoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare, përgjigja në terren erdhi nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ai theksoi se paralajmërimi nuk nënkupton kërcënim konkret. 

“Ambasada e SHBA ka bërë deklaratën e saj. Për më tepër, bota ndodhet në një situatë të tillë. S’ka vend për shqetësim! Kjo kërkesë ka shkuar për të gjitha ambasadat e SHBA, është për qytetarët amerikanë, në të gjithë botën. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria. Jemi cënuar nga veprimtaria e aktorëve të atij shteti dhe të gjitha sistemet janë rikthyer dhe janë funksionale”

Në të njëjtën linjë ishte dhe ministri i brendshëm Besfort Lamallari, teksa sqaroi masat konkrete të ndërmarra nga policia dhe strukturat e sigurisë.

“U kam kërkuar strukturave të Policisë, konkretisht strukturave të Antiterrorit, të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Policisë Kriminale, të jenë në komunikim me zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, nga të cilat me përgjegjësi të plotë konfirmoj se është komunikuar, e nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe inteligjencë, për një situatë rreziku real” 

Por për ish-ministrin e Mbrojtjes, kolonel Dritan Demiraj, njoftimi i ambasadës nuk është paralajmërim rutinë, por thirrje për vigjilencë kombëtare. 

“Çdo përpjekje për të toleruar, mbështetur apo bashkëpunuar me aktorë të lidhur me regjimin e Teheranit përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare dhe aleancës strategjike të Shqipërisë. Qytetarët duhet të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë tek autoritetet përkatëse”

Demiraj nënvizon se mbrojtja e sigurisë kombëtare kërkon angazhim të përditshëm dhe përgjegjësi personale nga çdo qytetar.

PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Diskutimet për paralajmërimin e SHBA-së për rrezikun e mundshëm iranian u zhvendosën brenda sallës së Kuvendit, ku deputetët e opozitës dhe mazhorancës debatuan ashpër mbi menaxhimin e sigurisë kombëtare.

Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, kritikoi qeverinë për një komunikim që sipas tij “mbante erë mendjelehtësi dhe nënvlerësim” dhe kërkoi që Kryeministri Edi Rama të raportojë personalisht para Kuvendit. Ai gjithashtu kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi kërcënimet ndaj vendit.

“Nuk ka një reagim adekuat të Presidencës dhe qeverisë për mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare. E konsideroj serioze paralajmërimin e djeshëm të ambasadës amerikane. Nuk mund të thotë qeveria jonë nuk jemi informuar. Njoftimi duhet të vinte nga institucionet shqiptare, jo nga ambasada,” tha ai.

Por Presidenca, përmes një njoftimi për mediat, ka rrëzuar kërkesën e opozitës duke sqaruar rolin që ka Këshilli i Sigurimit Kombëtar. 

Sipas njoftimit, Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet që janë pjesë e këtij Këshilli dhe informohet për situatat dhe skenarët e mundshëm, si dhe për masat e ndërmarra në kuadër të protokolleve të sigurisë.

“Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjitha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë”

Presidenca thekson se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës dhe nuk merr vendime për çështjet që diskuton.

Debate PD-PS

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi që Kryeministri Rama të jetë i pranishëm në sallë dhe të japë përgjigje mbi deklaratën e ambasadës.

“Çështja e sigurisë kombëtare nuk është çështje kafenesh. Nuk mund ta trajtojmë në publik apo në seancë plenare si çështje të vogla. Për të mos ngjallur shqetësim te qytetarët, them se ne si deputetë nuk kishim asnjë informacion mbi deklaratën e ambasadës. Një qeveri që për vite të tëra nuk ka parë pjesën më të madhe të territorit të vendit të mbjellë me kanabis nuk mund të jetë e besueshme. Ta quash deklaratën e Ambasadës si hamendësim na bën qesharakë dhe tregon mungesë bashkëpunimi me partnerin tonë strategjik,” tha Bardhi.

Pas shqetësimeve të opozitës, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, sqaroi se Shqipëria nuk rrezikohet dhe se institucionet ndërkombëtare monitorojnë situatën.

“Ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashington, jemi në kontakt me NATO-n. Vlerësimi që kemi sot është se nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Për çdo gjë të re, ministria e jashtme apo ministritë e tjera do të informojnë në kanalet e duhura, duke qenë në kontakt me Kryeministrin dhe Presidentin”

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, iu përgjigj akuzave të PD-së duke theksuar se deklarata e ambasadës nuk përbën rrezik real dhe nuk duhet përdorur për qëllime politike.

“Po kthehet një deklaratë nga SHBA në një çështje politike. SHBA njofton çdo ditë qytetarët e saj për këto çështje. Ne përshëndesim presidentin Trump për këto veprime, sa i takon reagimit ndaj regjimit të Iranit. SHBA e kanë mbështetur Shqipërinë kur ne kemi qenë në shënjestër të sulmeve të Iranit dhe Gardës Islamike. Autoritetet nuk kanë asnjë informacion se mund të jenë të rrezikuar. Lëreni teatrin dhe bëni atë që duhet të bëjë çdo përfaqësues i përgjegjshëm,” tha Balla. 

Në përfundim, Shqipëria ka një histori të qartë në raport me Iranin. Me kërkesë të SHBA-ve, prej 13 vitesh në Shqipëri strehohen muxhahedinët.

Negociatat filluan në kohën e qeverisë ‘Berisha”, dhe muxhahedinët e parë në Shqipëri mbërritën në vitin 2013, në fund të mandatit të qeverisjes së djathtë. Aktualisht, vendi ka të strehuar mbi 3 mijë muxhahedinë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI), ose siç njihen ndryshe MEK. 

Në shtator 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Shkak për këtë vendim u bënë “provat e pakundërshtueshme” për sulme kibernetike. 

Së fundmi, parlamenti ka miratuar një rezolutë që e shpall Iranin “shtet sponsor i terrorizmit” dhe shtet që përdor mjete terroriste, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm pas SHBA-së me një vendim të tillë formal.