Këto dyshime mbi kimioterapinë të bazuara mbi teknologjinë e viteve 1943

8

Pretendimi: Pacientët nuk vdesin nga kanceri, por nga kimioterapia

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon sërish pretendimi se personat me kancer nuk vdesin nga kanceri, por nga kimioterapia.

Artikulli i mësipërm citon një “Dr. Hardin B. Jones, i cili dikur ka punuar si profesor i fizikës mjekësore dhe fiziologjisë në Kolegjin e famshëm Berkeley,” i cili “thotë se pacientët të cilët nuk e praktikojnë kimioterapinë, jetojnë rreth 12 vjet më gjatë (në mesatare) në krahasim me ata që e ndjekin këtë terapi.”

Profesori Hardin Blair Jones ishte vërtet profesor në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. Ajo që artikulli nuk përmend është se ai nuk ishte në gjendje të vlerësonte efektivitetin e terapive moderne të kancerit sepse vdiq në vitin 1978. Hulumtimi i tij kryesor mbi këtë temë ishte në fakt një artikull, jo një studim, i botuar në 1956, që përmbledh vëzhgime të ndryshme nga mjekët që regjistruan shkallën e vdekshmërisë së pacientëve me kancer midis viteve 1911 dhe 1943.

Megjithëse nuk ka prova se Jones ka thënë se “njerëzit nuk vdesin nga kanceri, por nga kimioterapia,” ai shprehu dyshime serioze në lidhje me efektivitetin e terapive të kancerit të përdorura në atë kohë. “Ekziston një probabilitet i fortë që, për sa i përket jetëgjatësisë, shanset e mbijetesës nuk janë më të mira me trajtim sesa pa të, dhe është e mundur që trajtimi të zvogëlojë kohëzgjatjen e mbijetesës”, shkroi ai në artikull.

Kjo analizë është shumë e vjetër për të hedhur dritë mbi praktikat mjekësore të shekullit të XXI, të cilat kanë evoluar rrënjësisht në mbi 60 vjet. Që nga viti 1978, kur Jones vdiq, fusha e shkencës mjekësore ka ndryshuar me prezantimin e teknologjive dhe metodave të reja si fekondimi in vitro, makinat MRI, identifikimi i HIV, vaksinat kundër hepatitit, dhe drafti i parë i gjenomit njerëzor.

Disa artikuj që kanë analizuar studimin e Jones në kontekstin e kohës së tij bien dakord se pikëpamja e tij pesimiste mbi trajtimin e kancerit dhe efektivitetin e tij ishte e zakonshme dhe në përputhje me kohën në të cilën u botua.

Në fund të viteve 1940, agjentët alkilues, një lloj ilaçi kimioterapie, besohej se ishin një përparim i madh në shërimin e kancerit, por efektet e tyre nuk i përmbushën pritjet. Një kurë për kancerin mbeti e pakapshme dhe përmirësimet në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës së pacientëve ishin të pakta dhe të rralla. “Shumë mjekë të kancerit po humbnin shpresën se kanceri do të shërohej ndonjëherë me kimioterapi”, shpjegon Science Based Medicine.

E njëjta ide u mbajt përgjithësisht në vitet 1960. Në vitet 1970 gjërat filluan të ndryshonin si pasojë e përmirësimeve në trajtime. Sëmundja e Hodgkins kaloi nga një dënim me vdekje pothuajse i sigurt në një nga sëmundjet e para tek të rriturit që mund të shërohej me kimioterapi si pjesë e një qasje shumëdisiplinore.

Sot, statistikat tregojnë se përmirësimet në trajtime dhe terapi, përfshirë kimioterapinë, kanë një ndikim në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës së pacientëve.

Një studim i vitit 2017 ka treguar se njerëzit që e trajtojnë kancerin me ilaçe alternative vdesin më herët se ata që përdorin terapi konvencionale. Këto përfshijnë jo vetëm kimioterapinë, por edhe rrezatimin, kirurgjinë dhe trajtimet hormonale.

Kimioterapia mund të ketë efekte anësore, por pretendimi se ajo e vret pacientin nuk është i vërtetë. 

Gjatë kimioterapisë, ilaçet e shpërndara në trup shkatërrojnë qelizat kancerogjene. Ky mekanizëm mund të prekë edhe qelizat e shëndetshme. Megjithatë, për shkak të ndarjes së shpejtë të qelizave kancerogjene, ato eliminohen në mënyrë më efektive

Kimioterapia shpëton jetën e qindra mijëra njerëzve në mbarë botën. Rreziku i vdekjes nga ndërlikimet pas trajtimit është shumë i vogël dhe përfitimet (shërimi i sëmundjes, zgjatja e jetës) i tejkalojnë çdo ndërlikim të mundshëm.

Dr. Orges Spahiu, Shef i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit Onkologjik, QSUT, ka thënë për Faktoje se: “Trajtimet e bazuara tek evidencat shkencore janë ato që sigurojnë trajtimin efektiv te kancerit. Avancimet e shkencës në fushën e Radioterapisë, Kimioterapisë dhe Kirurgjisë kanë siguruar sot një shërueshmëri të konsiderueshme që për disa lloje tumoresh arrin deri në 99% në varësi dhe të stadit të sëmundjes”. 

Doktor Spahiu thotë gjithashtu se dy terapitë kryesore të provuara shkencërisht dhe të çertifikuara ndërkombëtarisht për të luftuar tumoret janë radioterapia dhe kimioterapia. E para përdor rrezatime me energji të ndryshme për të eleminuar qelizat tumorale, duke shmangur në maksimum indet dhe organet e shëndosha përreth. Ndërsa kimioterapia konsiston në barna antitumorale, të cilat nëpërmjet gjakut udhëtojne në gjithë trupin duke luftuar qelizat kanceroze.

Në fund, doktori nuk harron këshillën kryesore për të gjithë lexuesit: “Drejtohuni tek mjeku për çdo shqetësim apo dyshim që keni, dhe mos u beni pre e alternativave të gënjeshtërta. Kurat e kësaj sëmundje janë vetëm ato të provuara shkencërisht”.