Ky rrafshim i aeroportit të Tel Avivit është gjeneruar nga AI

22

Pretendimi: Këto pamje tregojnë shkatërrimin e aeroportit të Tel Avivit pas sulmeve me raketa iraniane

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Ndërsa Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet e ndërsjellta me raketa dhe dronë, në mediat sociale botërore, duke përfshirë ato shqiptare, po shpërndahen me shpejtësi lajme të rreme dhe foto të manipulara ose të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale (AI). I tillë ishte edhe rasti i fundit, ku një foto pretendon se aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv është shkatërruar rëndë nga një sulm iranian. Fotoja e publikuar nga një portal në Facebook me datë 9 mars, në fakt nuk është reale, por është e gjeneruar me AI. 

Me datë 28 shkurt 2026, SHBA dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit, duke vrarë dhjetra civil si dhe liderin suprem te Iranit, Ali Khamenei. Në shenjë hakmarrjeje, më datë 5 mars, qeveria iraniane tha se kishte sulmuar aeroportin e Tel Avivit, Ben Gurion, si dhe zona të ndryshme ushtarake në zonë. Megjithatë ky lajm nuk është konfirmuar nga ansnjë media perëndimore apo nga mediat izraelite. Deklarata është shpërndarë vetëm nga media iraniane dhe me besueshmëri të ulët. 

Po në atë periudhë, në media sociale filluan të qarkulloni imazhe që pretendonin se Irani kishte arritur qëllimin e tij duke goditur dhe dëmtuar aeroportin Ben Gurion. Këto imazhe, që më pas u përdorën dhe nga portalet shqiptarë, nuk citojnë burime të sakta (autorin e fotos apo datën), rrethana që shtojnë mundësinë që imazhi të jetë gjeneruar nëpërmjet inteligjencës artificiale. Për më tepër, këto imazhe janë përdorur vetëm nga portale online pa kredenciale mediatike, siç e tregon një kërkim në Google Images. 

Pavarësisht këtij lajmi të rremë, Irani vijon të sulmojë Izraelin me raketa duke goditur dhe qendrën e Tel Avivit në 24 mars. Ky sulm erdhi pasi Irani hodhi poshtë pretendimet e presidentit Trump për arritjen e një armëpushimi. Megjithatë, as mediat ndërkombëtare që po e ndjekin luftën me kujdes (si New York Times, apo BBC), as qeveria izraelite, nuk kanë konfirmuar një sulm ndaj aeroportit në fjalë. Lajmet në Izrael tregojnë se aeroporti vazhdon punën, vetëm se me numër shumë më të limituar fluturimesh për shkak të sulmeve iraniane.