Kjo yshtje e çmimeve të karburantit është gjeneruar me AI

12

Pretendimi: Kjo video tregon një grup priftërinjsh duke yshtur çmimin e naftës

Verdikti: Satirë, Gjeneruar me AI

——————————————————————–

Rritja e çmimit të naftës që erdhi si pasojë e luftës mes Iranit dhe Izraelit e ShBA u prit me zemërim në rrjet, por edhe me humor. Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon tre priftërinj duke bekuar me yshtje dhe temjan një pikë karburanti.

Megjithëse qesharake, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte botuar fillmisht në rrjet nga një llogari rumune në Facebook.

Në përshkrimin e llogarisë shpjegohet, në gjuhën rumune, se “videot në këtë faqe gjenerohen duke përdorur inteligjencën artificiale dhe janë vetëm për qëllime argëtimi. Të gjithë personazhet, situatat dhe dialogët e paraqitur janë fiktivë.”

Vërtet, një vëzhgim i videove të botuara nga kjo llogari zbulon se ajo poston ekskluzivisht pamje të gjeneruara me AI.

Faktoje gjeti gjithashtu një numër të madh videoshgjeneruara me AI që tregojnë të njëjtin skenar me priftërinjtë që bekojnë pikat e karburantit, kryesisht nga llogari të bazuara në Rumani.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.