I rremë ky dorëzim i një batalioni të tërë izraelit në duart e Hezbollahut

14

Pretendimi: Ky imazh tregon një batalion të ushtrisë izraelite që iu dorëzua forcave të Hezbollahut në rajonin e Galilesë

Verdikti: E paprovuar, Gjeneruar me AI

———————————————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një batalion të ushtrisë izraelite (IDF) që iu dorëzua forcave të Hezbollahut në rajonin e Galilesë, që shtrihet në Izraelin verior dhe Libanin jugor.

Megjithatë, një kërkim me motorrin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhi i mësipërm është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Një vështrim më i kujdesshëm i fotos zbulon disa gabime logjike në të, si përshembull, flamuri i Hezbullah që ngrihet mbi shpinën e një prej ushtarëve, një hije në gishtin urdhërues të ushtarit tjetër fitimtar hezbullah, dy ushtarë izraelitë që i janë shmangur dorëzimit pasi njëri vijon të jetë i armatosur dhe tjetri nuk i mban duart lart, dhe më e qartë, imazhi i një fytyre në dorën e ngritur të ushtarit të dytë izraelit të dorëzuar në të majtë të fotos. Të gjitha këto shenja që konfirmojnë gjenerimin e imazhit. 

Megjithëse postimi i mësipërm citon media si Channel 13 Israel dhe Al Jazeera, nuk ka raportime në asnjë nga këto media, apo media të tjera të besueshme, se një batalion izraelit është dorëzuar në Galile. Kjo, megjithëse Channel 13 Israel raporton vazhdimisht vdekje e plagosje të ushtarëve izraelitë gjatë mësymjes së IDF në Liban.