Anija në Filipine ndahet si provë e panikut në Izrael nga bombat iraniane

11

Pretendimi: Kjo video tregon izraelitët që po braktisin zonat e tyre të banimit pas kërcënimeve nga Irani dhe Hezbollahu

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon izraelitë duke braktisur zonat e tyre të banimit pas kërcënimeve nga Irani dhe Hezbollahu.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Facebook më 14 janar 2026, përpara përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit që u shkaktua nga vrasja e udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt 2026.

Më tej, video është postuar nga një llogari e bazuar në Filipine dhe përshkrimi që e shoqëron është në Tagalog, një nga gjuhët zyrtare të Filipineve. 

Përdoruesi që ka postuar videon origjinale iu përgjigj në komente një përdoruesi që e pyeste për destinacionin e udhëtimit, duke thënë: “Nga Porti Basakaw në San Pascual, miku im”, duke treguar se videoja ishte filmuar në Filipine.

Një kërkim në Google për rrugën e tragetit midis këtyre dy komunave filipinase jep një postim në Facebook më 4 gusht 2025 nga Starhorse Shipping Lines Inc., një kompani transporti detar që operon në Filipine. Postimi përmban një video të njërës prej anijeve të tyre që ka një ngjashmëri me anijen e paraqitur në videon e mësipërme.

Disa nga mbishkrimet, të tilla si “mirë se vini në bord” ose emri i anijes “Virgen de Peñafrancia III – Tres Reyes”, janë të dukshme në të dyja pamjet.

Një anije nga e njëjta linjë trageti mund të shihet në këtë video në YouTube për një itinerar nga Pasacao në ishullin Burias në Filipine. Një krahasim i anijeve nga dy videot krah për krah tregon se duken njësoj. Terreni përreth anijeve është gjithashtu shumë i ngjashëm.

Postuesi i videos origjinale tregoi se ajo ishte filmuar në portin filipinas të Pasacao. Një kërkim në Google Maps për këtë vendndodhje tregon përputhje me mjedisin përreth të pamjeve në video. Malet që rrethojnë portin janë të njëjtat që shfaqen në video pas anijes.