“Je i pushuar!”, fatura e largimeve të padrejta nga puna shkon mbi 1.3 miliardë lekë

Historitë njerëzore të punonjësve të larguar mes pritjes shumëvjeçare për drejtësi dhe problemeve ekonomike

51

Nga Albina Hoxhaj

Në moshën 29 vjeçare, Lionel Elezaj, administratori i njësisë Otllak, u largua nga puna në mbledhjen e konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak të dalë nga zgjedhjet vendore të vitit 2019. 

Motivacioni i largimit u bazua në arsyetimin: “Sipas ligjit, pozicioni i Administratorit është kompetencë e Kryetarit të Bashkisë

Që nga ai moment gjithçka ndryshoi për familjen e tij me pesë anëtarë, e cila mbahej me të ardhurat nga puna e kryefamiljarit. 

“Largimi nga puna u përjetua shumë keq nga familja ime, pasi unë isha i vetmi i punësuar. Madje bashkëshortja shtatzënë pati probleme për shkak të largimit tim nga puna. Një situatë shumë e keqe”, thotë ai.

Elezaj vendosi të nisë një proces gjyqësor për largim të padrejtë nga puna në 5 gusht 2019 dhe që prej atij momenti vijon të presë vendimin e formës së prerë. “Në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Berat kemi fituar 12,5 paga. Tani çështja është në Gjykatën e Apelit”, tha ai për “Faktoje”. 

Elezaj nuk u rikthye në punë. Teksa vijon procesin gjyqësor deri në marrjen e vendimit përfundimtar ka pasur nga ata që kanë tentuar që ta ndalojnë. “Gjatë procesit më thoshin mos e vazhdo, nuk fiton. Gjëra të tilla, por m’i thoshin jashtë sallës së gjyqit”.

Deri më tani vlera monetare për ndjekjen e procesit gjyqësor ka shkuar rreth 100.000 lekë të reja vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësore Berat.

Avokati i tij, Erjon Ismailaj, sqaron se mbrojtja është mbështetur në faktin se vendimi për shkarkimin e tij ishte marrë në kundërshtim me ligjin dhe me procedurat që parashikon Kodi i Punës.

Ne foto: Lionel Elezaj (ne te majte) dhe Erjon Ismailaj avokat (ne te djathte)

“U provua se nuk ishin respektuar afatet ligjore të njoftimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe nuk ishte ndjekur procedura që i jep punëmarrësit të drejtën për të dhënë shpjegimet e tij përpara se të merret një vendim i tillë. Vendimi ishte marrë pa një arsyetim të mjaftueshëm ligjor dhe pa respektuar garancitë procedurale që ligji u jep punëmarrësve”, tha avokati.

Vendimi 

Procesi gjyqësor në këtë rast zgjati rreth një vit deri në marrjen e vendimit nga gjykata. 

Në përfundim të gjykimit, gjykata vendosi detyrimin e palës së paditur që t’i paguajë paditësit dëmshpërblim për shkeljet e konstatuara gjatë ndërprerjes së marrëdhënies së punës. 

“Në raste të tilla dëmi që i shkaktohet punëmarrësit nuk është vetëm material, pasi përveç humbjes së të ardhurave shpesh ka edhe pasoja të tjera që lidhen me dëmtimin e reputacionit profesional dhe pasigurinë ekonomike që një vendim i tillë mund të sjellë për jetën e tij dhe të familjes”, tha Erjon Ismailaj.

Ky nuk është rast i vetëm apo i izoluar, pasi buxheti i shtetit vijon të mbajë një barrë të rëndë financiare nga largimet e padrejta nga puna. 

KLSH 

Sipas raportit të zbatimit të buxhetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2024, kostoja e vendimeve gjyqësore për largim nga puna arriti në shumën 1.367 mln lekë ose mbi 1.3 miliardë lekë.

screenshot nga raporti i KLSH

Efektivi i larguar i policisë

Të njëjtën përballje gjyqësore për largimin nga puna ka ndjekur edhe efektivi i policisë me iniciale M.R. në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. Argumenti ishte për shkelje të rëndë të rregullores së Policisë së Shtetit pasi nuk u konstatua lënda narkotike gjatë një operacioni policor.  

Hetimi filloi në datën 10.11.2022 dhe një muaj më vonë u firmos raporti përfundimtar i Drejtorisë së Standarteve Profesionale pranë policisë. 

Ai vendosi t’i drejtohet gjykatës dhe arriti të fitojë në shkallën e parë në gjykatën administrative, konkretisht rikthimin në punë dhe pagesat nga momenti i përjashtimit deri në rikthim. 

Procesi gjyqësor zgjati dy vjet, por gjykata Administrative e Apelit ende nuk ka përcaktuar një datë për gjyqin. 

Gjatë kësaj kohe, ai filloi një punë tjetër për të mbajtur familjen si dhe për të mbuluar shpenzimet jo vetëm të procesit, por edhe të jetesës në tërësi.

“E gjithë familja ishte në stres. Prindërit ende marrin ilaçe anti-stres që nga ajo kohë. Financiarisht ndikoi shumë sepse isha i vetmi burim i të ardhurave dhe u detyrova të ikja në emigrim për rreth 1 vit”, thotë ai për “Faktoje”. 

Efektivi i policisë synon që të rikthehet në detyrë. 

“Nuk është marrë vendim i formës së prerë për rikthim. Normalisht që kam synim të rikthehem sepse ju përkushtova atij profesioni dhe sapo kisha mbaruar akademinë. Rreth 5 muaj punova pasi mbarova akademinë 3-vite”, rrëfen ai.

Thuasje në çdo raport auditimi që KLSH zhvillon në institucione rezulton një zë që shkakton dëm financiar, largimet e padrejta nga puna, të cilat pas vendimit të gjykatës detyrojnë institucionin të dëmshpërblejnë punonjësin. 

“Faktoje” iu drejtua me kërkesë për informacion disa institucioneve të pushtetit vendor dhe qëndror, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli, përveç Ministrisë së Brendshme që çoi një informacion të thatë 

U pushua me një telefonatë

Para se të pushohej nga puna, Denis Hyka ishte inspektor shërbimesh, arkëtar në Njësinë Administrative Kutalli në Bashkinë Dimal. 

Ai i tha “Faktoje” se u pushua fillimisht me një telefonatë, më tej u ngrit një komision disiplinor dhe në fund iu dorëzua vendimi i largimit nga puna.

I zhgënjyer, Hyka u konsultua me një avokat dhe nisi menjëherë procesin gjyqësor. 

Për të përgatitur dosjen iu deshën 30 ditë, por sapo çështja shkoi për gjykim gjyqtari u transferua në Tiranë duke e vonuar procesin. 

Ai ka kërkuar në gjykatë dëmshpërblim për periudhën e largimit, rikthim në pozicionin e mëparshëm të punës dhe dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm.

“Vështirësi të paguaja kredinë dhe mbuloja shpenzimet mjekësore të familjarëve“, – Denis Hyka

Kjo periudhë ka qenë e vështirë për të pasi largimi me masë disiplinore i mbylli edhe shumë dyer të tjera ku mund të punonte. “Kam pasur vështirësi të gjej një punë tjetër pasi më kanë larguar me masë disiplinore, vështirësi të paguaja kredinë dhe mbuloja shpenzimet mjekësore të familjarëve”, tha ai për “Faktoje”.

Pas kësaj eksperience, ai shprehet skeptik për kushtet e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve në institucionet shtetërore. 

“Në vendin tonë punonjësit nuk kanë fare siguri sado të ketë kontrata pune. Çdo gjë varet nga vullneti i titullarit, i cili e trajton institucionin si pronë private, pasojat financiare, sociale të vendimeve nuk e prekin pasi ato i ngarkohen institucionit. Do ishte më mirë të rishikohej mënyra e zgjidhjes së këtyre çështjeve administrative, jashtë gjykatës pasi koha e zgjidhjes së një çështje është disa vite ç’ka ngarkon si individin e larguar nga puna ashtu dhe buxhetin e shtetit”, tha ai.

Kur marrëdhënia e punës është e bazuar në kontratë pune sipas Kodit të Punës, zakonisht gjykata vendos dëmshpërblim financiar dhe jo rikthim në vendin e punës. Ndërsa në rastet kur punëmarrësit kanë statusin e nëpunësit civil, ligji parashikon mundësinë e rikthimit në detyrë në rast se largimi nga puna konstatohet i paligjshëm.

Avokati Erjon Ismailaj thotë se ka pasur shumë raste të largimeve nga puna në sektorin publik dhe atë privat. “Nga përvoja profesionale rezulton se në shumë prej këtyre rasteve problemi kryesor lidhet me mosrespektimin e procedurave ligjore që parashikon Kodi i Punës. Shpesh ndodh që vendimi për largimin nga puna të merret në mënyrë të menjëhershme, pa respektuar afatet e njoftimit dhe pa i dhënë punëmarrësit mundësinë për të dhënë shpjegimet e tij, sikur ndërprerja e marrëdhënies së punës të ishte vetëm një vendim i njëanshëm i punëdhënësit”, tha ai.

Sa i përket kohëzgjatjes së këtyre proceseve, në praktikë ato mund të zgjasin disa muaj deri dy vite në shkallën e parë të gjykimit, në varësi të kompleksitetit të çështjes dhe ngarkesës së gjykatave. 

Megjithatë, në rastet kur vendimi ankimohet dhe çështja kalon në shkallët më të larta të gjyqësorit, procesi mund të zgjasë shumë më gjatë dhe në praktikë ndodh shpesh që një çështje e tillë të zgjasë edhe mbi 5-6 vite deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta