E gjeneruar foto nga reanimacioni e ministrit izraelit të financave

43

Pretendimi: Ky imazh tregon politikanin izraelit Bezalel Smotrich duke qëndruar në reanimacion për djalin e tij që është në gjendje kritike për jetën pasi u plagos shumë rëndë nga predha e një rakete të Hezbollah pasi kishte hyrë të pushtonte Libanin.

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një imazh që ka marrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon politikanin izraelit Bezalel Smotrich duke qëndruar në reanimacion për djalin e tij që është në gjendje kritike për jetën pasi u plagos shumë rëndë nga predha e një rakete të Hezbollah pasi kishte hyrë të pushtonte Libanin.

Është e vërtetë se më 9 mars 2026, politikani i të djathtës ekstreme izraelite dhe ministri i financave Bezalel Smotrich deklaroi se djali i tij ishte plagosur si pjesë e brigadës Givati në kufirin libanez. Gjithashtu, Smotrich ndau vërtet një foto nga dhoma e spitalit të djalit të tij në Twitter më 18 mars, por ajo nuk përngjan me imazhin e mësipërm.

Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti gjithashtu se pamja në sfond të imazhit që po verifikojmë qarkullon në rrjet të paktën që në vitin 2019, përpara plagosjes së djalit të Smotrich. 

Më tej, pamja në sfond nuk tregon një njeri të shtruar në reanimacion, por një skenë seksuale fetishiste, me gjasa e përzgjedhur për këtë rast si tallje për të poshtëruar Smotrich.

Imazhi që po qarkullon në rrjet me gjasa është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale. Tregues i origjinës artificiale është shenja e Gemini, programi AI i Google, poshtë në cepin e djathtë të imazhit.

Një kërkim me motorin e kërkimit pamor Google Lens konfirmon se imazhi që qarkullon në rrjet është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.