Pretendimi: Presidenti argjentinas Javier Milei dhe Benjamin Netanyahu janë kushërinj
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se presidenti argjentinas Javier Milei dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu janë kushërinj.

Postimi pretendon se dy krerët e shtetit kanë të njejtin gjysh, mw konkretisht “Nathan Mileikowsky, i lindur më 15 gusht 1825, në Bjellorusi”, dhe baballarët e tyre ishin vëllezër.
Që nga 2021, ka patur pretendime se Milei, në atë kohë deputet dhe kandidat presidencial, fillimisht quhej “Mileikowsky”, një mbiemër që ai supozohet se e ndryshoi për të fshehur një trashëgimi të supozuar hebraike. Megjithatë, kjo është e rreme.
Ngjashmëria midis “Milei” dhe “Mileikowsky” nuk është aq e fortë sa të sugjerojë se dy udhëheqësit politikë në fjalë kanë lidhje gjaku.
Siç kanë verifikuar kolegët e Chequeado, të dhënat e Mileit në Dhomën e Deputetëve të Argjentinës tregojnë se emri i tij i plotë është Javier Gerardo Milei. E njëjta gjë konfirmohet duke kërkuar në faqen Dateas, ku është e mundur të aksesohet Kodi i tij i Identifikimit Tatimor (CUIT).
Një kërkim i Dokumentit të Identitetit Kombëtar (DNI) të përfshirë në atë CUIT tregon se i njëjti emër, Javier Gerardo Milei, shfaqet në regjistrin zgjedhor.
AFP dhe Chequeado kërkuan certifikatën e lindjes së Javier Milei nga Regjistri Civil i qytetit të Buenos Aires. Dokumenti, i dërguar më 9 tetor 2023, zbulon se presidenti ka lindur më 22 tetor 1970 dhe është regjistruar me emrin Javier Gerardo Milei.

Fragment nga certifikata e lindjes së Javier Milei, marrë më 10 tetor 2023
Emrat e prindërve të tij janë gjithashtu të listuar në certifikatë: Norberto Horacio Milei dhe Alicia Luján Lucich.
Për më tepër, në një procesverbal të mbledhjes së tetorit 2006 të Kompanisë së Transportit Tte Gral Roca SA, shfaqet edhe emri i babait të presidentit: Norberto Horacio Milei.
Nuk ka të dhëna publike ose zyrtare për ndonjë ndryshim të supozuar të emrit nga presidenti, dhe certifikata e tij e lindjes konfirmon se emri i tij i plotë është Javier Gerardo Milei.
Ndërkaq, familja e Netanyahut e ndryshoi mbiemrin nga “Mileikowsky”. Gjyshi i tij ishte Nathan Mileikowsky, një rabin dhe një pjesëmarrës aktiv në lëvizjen sioniste. Sipas Bibliotekës Virtuale Hebraike, Mileikowsky përdori mbiemrin “Netanyahu” në shkrimet e tij, duke i bërë fëmijët e tij të përvetësonin këtë mbiemër.
Një njoftim për shtyp i një takimi midis Milei dhe Netanyahu më 7 shkurt 2024, nuk përmendi asnjë marrëdhënie familjare midis të dyve. Çdo lidhje e mëtejshme ndoshta do të ishte përmendur, pasi Milei është një mbështetës i zëshëm i qeverisë izraelite dhe ka treguar interes për judaizmin pavarësisht se është rritur katolik.
Juan Luis González, një gazetar dhe autori i “El Loco“, një biografi e paautorizuar e Milei, tha për Lead Stories: “… dikush më tregoi për atë ngjashmëri në mbiemrat, por për aq sa di unë, ato nuk janë të lidhura.”






