Pretendimi: Kanceri u shërua në 1934 nga Royal Raymond Rife, por ky i fundit u shkatërrua për ta mbajtur këtë sekret
Verdikti: E paprovuar
———————————————————-
Një postim që ka marrrë mbi 700 pëlqime në Facebook pretendon se kanceri u shërua që në vitin 1934 nga një pajisje me frekuencë të shpikur nga amerikani Royal Raymond Rife, të cilit më pas iu shkatërrua karriera për të mbajtur sekret këtë zbulim.

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk jep asnjë provë, burim apo referencë që mbështet këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Makineritë RIFE u krijuan në vitet 1920-30 nga shkencëtari Raymond Rife dhe ato funksionojnë duke prodhuar valë energjie të ulët elektromagnetike. Mbështetësit e makinës thonë se të gjitha sëmundjet kanë një frekuencë elektromagnetike dhe, duke përputhur frekuencën, makineria RIFE mund të vrasë ose çaktivizojë qelizat e prekura.
Nuk ka prova të besueshme që tregojnë se këto pajisje funksionojnë dhe ato nuk kanë kaluar testimet rigoroze të kërkuara që një trajtim kundër kancerit të përdoret tek njerëzit.
Sipas Cancer Research UK, organizata bamirëse më e madhe e pavarur në botë për hulumtimin për kancerin, “shumë faqe interneti promovojnë makinën Rife si një kurë për kancerin. Por asnjë organizatë shkencore me reputacion për kancerin nuk mbështet ndonjë nga këto pretendime.”
Gjithashtu, nuk ka prova që këto makina nuk shkaktojnë dëm për njerëzit që i përdorin ato. Cancer Research UK paralajmëron se “mund të dëmtoni shëndetin tuaj nëse ndaloni trajtimin e kancerit për një trajtim të paprovuar.”
Dr. Skyler Johnson, një mjek dhe profesor asistent i specializuar në onkologjinë e rrezatimit në Institutin Huntsman të Kancerit të Universitetit të Utah, i tha Lead Stories se “makinat Rife nuk janë demonstruar se trajtojnë ose shërojnë ndonjë kancer. Energjia e krijuar nuk është mjaftueshëm e fortë për të dëmtuar qelizat kancerogjene. Pretendimet se ajo shëron kancerin janë hedhur poshtë disa herë. Pacientët që zgjedhin ta përdorin këtë për të trajtuar kancerin e tyre e vënë jetën e tyre në rrezik serioz.”
Echo Warner, një profesore asistente në Kolegjin e Infermierisë në Institutin Huntsman të Kancerit dhe një anëtare e asociuar e Institutit Huntsman të Kancerit, shtoi se “nuk ka prova shkencore për të mbështetur pretendimin se makinat Rife trajtojnë kancerin. Hulumtimi ynë në lidhje me dezinformimin shëndetësor në internet ka treguar se këto pretendime shpesh kanë stimuj financiarë. Megjithëse nuk ka prova shkencore për të mbështetur pretendimin se makinat Rife trajtojnë ose shërojnë kancerin, këto makina shpesh u shiten pacientëve me kancer për mijëra dollarë. Pacientët me kancer që ndjekin blerjen e këtyre makinave mund të rrisin rrezikun e vështirësive financiare gjatë një përvoje me kancerin, ndërsa rrezikojnë edhe shëndetin e tyre duke vonuar trajtimin e kancerit.”
Ka disa studime që kanë eksploruar përdorimin e valëve të energjisë së ulët si një trajtim për kancerin, por kërkohen kërkime të mëtejshme në këtë fushë.
Ka trajtime për kancerin që përdorin valë zanore me frekuencë të lartë për të vrarë qelizat kancerogjene, dhe ato kanë një bazë të mirë provash për përdorimin e tyre.
Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, makinat Rife reklamohen në internet me çmime që variojnë nga disa qindra deri në disa mijëra dollarë.
Pavarësisht se nuk pati sukses me shpikjen e tij, Rife jetoi deri në moshën 83 vjeçare dhe vdiq në vitin 1971, kur shkenca kishte hedhur hapa shumë të rëndësishëm nga kufizimet e viteve ‘30 kur pretendohet se u bllokua zbulimi i tij.






