I gjeneruar ky imazh i Netanyahut nën rrënojat e bombardimeve

8

Pretendimi: Vdekja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu është konfirmuar dhe kjo foto tregon trupin e tij

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————–

Në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që duket se tregon kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me një plagë në fytyrë duke u nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese, shoqëruar me pretendimin se vdekja e tij ishte konfirmuar.

Mospërputhjet pamore tregojnë se imazhi i mësipërm është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Për shembull, lëndimet dhe mavijosjet në fytyrën e Netanyahut duken të panatyrshme. Imazhi është shumë i ‘lëmuar’ dhe pluhuri pranë fytyrës së Netanyahut duket artificial. 

Për më tepër, në një version të plotë të imazhit të Netanyahut të veshur me xhaketë, pjesa e xhaketës që po mbajnë shpëtimtarët ndryshon nga pjesa e xhaketës ku janë të ngjitura kopsat.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk ka asnjë raportim zyrtar apo mediatik të besueshëm se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur.

Pas pretendimeve që qarkulluan në rrjet se Benjamin Netanyahu mund të jetë i vdekur ose i plagosur, kryeministri izraelit publikoi një video më 15 mars, ku shihet duke pirë kafe në një kafene dhe duke folur me një ndihmës.