Pretendimi: Zëvendëskryeministri izraelit Yariv Levin është emëruar kryeministër i përkohshëm i Izraelit. Kjo vërteton se kryeministri izraelit benjamin Netanyahu është plagosur ose është vrarë.
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————
Në 16 mars 2026, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullonte lajmi se zv. kryeministri izraelit Yariv Levin ishte emëruar kryeministër i përkohshëm i Izraelit duke zëvendësuar Benjamin Netanyahun. Postimet gjithashtu pretendojnë se kjo do të thotë se Netanyahu ka vdekur apo është plagosur sa është i paaftë të kryejë detyrat e tij si kryeministër.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë. Megjithëse postimi i mësipërm i referohet “raporteve të medias,” këto raporte nuk disponohen dhe nuk tregohet se cilat media e kanë raportuar.
Kjo sepse, siç tregon një kërkim i thjeshtë në rrjet, asnjë media nuk ka raportuar se Yariv Levin, Zëvendëskryeministër, Ministër i Drejtësisë, Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Shërbimeve Fetare të Izraelit është emëruar si Kryeministër i përkohshëm. Pretendimi duket se e ka origjinën në një postim në platformën X, jo në ndonjë media.
Asnjë njoftim për emërimin e Levin nuk shfaqet në kanalet zyrtare qeveritare izraelite.
Levin e mori per një kohë të shkurtër rolin e Kryeministrit të përkohshëm në maj 2025, siç raporton media izraelite Ynetnews, kur Benjamin Netanyahu do t’i nënshtrohej një ekzaminimi mjekësor në mëngjesin e 30 majit. Levin e zëvendësoi atë në rolin e tij nga ora 6:00 e mëngjesit deri në përfundimin e procedurës mjekësore.






