Kjo përleshje nuk ka lidhje me panikun në Izrael ndaj raketave iraniane

8

Pretendimi: Kjo video tregon përleshjet që po shpërthejnë në aeroportin izraelit Ben Gurion teksa qytetarët izraelitë kërkojnë të largohen nga vendi për t’u ikur raketave iraniane

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale në mars 2026, pretendohet se tregon përleshje në aeroportin izraelit Ben Gurion teksa qytetarët izraelitë kërkojnë të largohen nga vendi për t’u ikur raketave iraniane.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamje nga video ishin botuar nga media izraelite Ynetnews në Facebook më 20 korrik 2025, muaj përpara se raketat iraniane të nisnin sulmet hakmarrëse ndaj Izraelit.

Sipas përshkrimit të postimit, pamjet tregonin një përleshje masive që kishte shpërthyer mbrëmjen e 20 korrikut 2025 “në Cinema City në Jerusalem midis dhjetëra adoleshentëve hebrenj dhe punonjësve arabë të bufeteve të rrjetit të kinemave. Në dokumentacionin nga vendi i ngjarjes, djemtë mund të shihen duke bërë rrëmujë, duke hedhur sende drejt punonjësve të banakut të ushqimit jashtë kinemave, dhe duke bërtitur “vdekje arabëve.” Punëtorët gjithashtu u kthyen duke hedhur objekte, tre prej tyre u plagosën lehtë dhe nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.”

Shumë aktivistë e dënuan incidentin e dhunshëm në rrjete sociale, duke e konsideruar atë një akt racizmi dhe dhune ndaj një grupi të caktuar njerëzish. 
Incidenti u raportua në atë kohë edhe nga media të tjera, në arabisht dhe në anglisht.