Balluku ruan imunitetin, Brukseli për Faktoje: SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij

Mungoi në votim Belinda Balluku, Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja

49
Ne foto: Kryeministri Edi Rama ne Kuvend (FOTO LSA)

Sebi Alla Pak minuta pasi Parlamenti rrëzoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, Komisioni Europian reagoi ekskluzivisht për Faktoje.al, duke ngritur shqetësimin dhe nevojën që: “SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij”.

“Bashkimi Evropian është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE.

Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Komisioni Evropian për Faktoje.al.

Rrëzimi i SPAK në Parlament

E sigurt për refuzimin e kërkesës së SPAK, për arrestimin e saj, Belinda Balluku nuk preferoi të ishte në sallën e Parlamentit kur do votohej për të me vetëm dy mundësi: “pro, ose kundër kërkesës së Prokurorisë Speciale”.

Përveç mungesës së Ballukut, nuk ishin të pranishëm as deputetët Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja.

Me 82 vota kundër, prej të cilave 79 të PS-së dhe 3 të PSD-së, Parlamenti i tha jo kërkesës për dhënie autorizimi për arrestimin e Ballukut. Monitori elektronik fiksoi edhe 47 vota të opozitës pro kërkesës për arrestimin e Ballukut.

Ish-zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në ankande ose tendera publikë, në nëntë raste”.

Dy raporte

Pas debatesh të shumta mes mazhorancës dhe opozitës, si në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve ashtu edhe në sallën e Parlamentit, palët dolën me dy raporte.

Nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi i cili lexoi raportin, opozita ftoi mazhorancën të votonte pro kërkesës së SPAK. Ndërsa citoi Komisionin e Venecias, deputeti i PD-së tha se imuniteti nuk mund të mbrojë personalisht një deputet nga ndjekja penale.

“Paprekshmëria e deputetit ndodh vetëm kur akuzat janë të motivuara politikisht, ose kur akuzat kanë karakter partiako-politik”, tha Bylykbashi.

Kundërt me opozitën, në raportin e PS-së i cili u lexua nga deputeti Ulsi Manja nuk justifikohej kërkesa e SPAK për arrestimin.

Si “argument” Manja tha se Balluku nuk ka më funksione ekzekutive dhe nuk mund të ndikojë në procesin penal të hapur ndaj saj.

“Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Për rrjedhojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë efekt, dhe me këtë linjë arsyetimi, raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal si rreziku i prishjes së provave, i arratisjes apo kryerjes së një vepre penale, që mbeten thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhen me funksionet që ajo nuk i ushtron më”, tha ai.

Reagimet nga ambasadat

Fillimisht Ambasada Britanike dhe më pas ajo e Gjermanisë dhe Holandës dolën me deklarata zyrtare ku kërkuan që imuniteti parlamentar të mos bëhet pengesë për sistemin e drejtësisë.

“Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, shkruan Ambasada Britanike.

Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i Ambasadës gjermane në Tiranë. “Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, shkruan ndër të tjera ambasada gjermane.

“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta”, shkruan Ambasada e Holandës në Tiranë

Rama dhe Berisha

Kryeministri Edi Rama gjatë leximit të raporteve lëvizi disa herë nga vendi dhe në fund bashkoi votat me deputetët socialist dhe ata të PSD-së për të rrëzuar kërkesën e SPAK. Të vetmin qëndrim e mbajti në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur deklaratave të ambasadave.

“Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian. Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur”, shkruajti Rama në rrjetet sociale.

Qëndrim të ashpër mbajti kreu i PD-së Sali Berisha, ku edhe pse kishte thirrur protestë, nuk pati asnjë incident në ditën finale kur votohej për kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut.

“…sot Edi Rama, kreu i organizatës kriminale, shënoi vetëvrasjen e tij politike. Shënoi fundin e tij politik. Firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i tij i krimit”, tha Berisha, ndërsa lajmëroi se protesta kombëtare e PD-së do të mbahet më 22 Mars.