Sulmuesi Taremi nuk ka ndërmend të braktisë Olympiacos për të luftuar në Iran

13

Pretendimi: Futbollisti iranian Mehdi Taremi ka deklaruar se do të lërë ekipin grek Olympiacos për të shkuar në luftë për Iranin

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei nga një sulm amerikano-izraelit më 28 shkurt, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se futbollisti me origjinë iraniane Mehdi Taremi ka deklaruar se do të largohet nga ekipi i tij Olympiacos për të luftuar për Iranin.

Taremi citohet të ketë deklaruar se “ky është momenti kur vendi im ka më shumë nevojë për mua.” 

Megjithatë, ky lajm është i pavërtetë.

Mehdi Taremi nuk ka deklaruar kurrë publikisht se dëshiron të kthehet në Iran për të luftuar në mbrojtje të tij, as nuk e ka thënë citimin që i atribuohet.

Për më tepër, Taremi njihet për kritikat e tij të forta ndaj regjimit të Ajatollahëve për vite me radhë dhe ka folur vazhdimisht publikisht për të denoncuar represionin e tij.

Zyra e shtypit e ekipit të tanishëm të Taremit, Olympiacos, konfirmoi për kolegët italianë të verifikimit të fakteve Facta se lajmi është plotësisht i pabazë. Presidenti i ekipit, Kostas Karapapas, si dhe agjenti i Taremit, Federico Pastorello, gjithashtu e mohuan këtë lajm në Instagram.

“Në orët e fundit, kanë qarkulluar deklarata që i atribuohen Mehdi Taremit, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e situatës. Lojtari është plotësisht i përqendruar në punën e tij, në Athinë, dhe në rrugën e tij profesionale, me përkushtim dhe vendosmëri. Në një periudhë delikate si kjo, është e rëndësishme të shmangen interpretimet jashtë kontekstit ose rindërtimet e pasakta. Ne kemi besim në ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit të të gjithëve,” lexonte deklarata e plotë nga Pastorello.