Pretendimi: Tensionohet situata e luftës ShBA-Izrael-Iran pasi Rusia futet tashmë në lojë
Verdikti: Mungon konteksti, Clickbait
—————————————–
Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, në rrjetet sociale shqipfolëse kanë nisur të qarkullojnë masivisht tituj alarmues që lajmërojnë tensionim të situatës pasi “Rusia futet në lojë,” ndërsa përdoruesit ftohen të klikojnë në lidhjen në komente për të lexur më tepër.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen ende.
Në brendinë e artikullit në komente shpjegohet se Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një “akt agresioni të paramenduar dhe të paprovokuar” ndaj Iranit, pas sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit.
Është e vërtetë se Ministria e Jashtme ruse ka dënuar menjëherë agresionin ushtarak të ShBA dhe Izraelit ndaj Iranit, në një deklaratë të botuar më 28 shkurt.
Megjithatë, përkundër ç’lë të mendohet titulli i artikullit, kjo deklaratë nuk përmban asnjë kërcënim, zotim apo insinuatë se Rusia ka ndërmend të përfshihet në konflikt, apo të “futet në lojë.”
Kjo, me gjasa, edhe si pasojë e faktit që Rusia është tashmë e përfshirë në një luftë 4-vjeçare në Ukrainë.
Përkundrazi, në mënyrë gati ironike, duke marrë parasysh luftën në Ukrainë, deklarata e Ministrisë së Jashtme ruse përfundon me një thirrje për diplomaci dhe zgjidhje paqësore:
“Ne bëjmë thirrje për një kthim të menjëhershëm në një rrugë politike dhe diplomatike. Rusia, si gjithmonë, është e gatshme të ndihmojë në avancimin e zgjidhjeve paqësore të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, respektin e ndërsjellë dhe një konsideratë të ekuilibruar të interesave”
Titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve shkakton alarm dhe panik të panevojshëm.






