Ende nuk ka një akuzë penale në Holandë ndaj Gates dhe Bourla për vaksinat

15

Pretendimi: Një gjykatë holandeze ka thirrur si të akuzuar miliarderin amerikan Bill Gates dhe drejtorin ekzekutiv të Pfizer Albert Bourla në lidhje me vaksinat.

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se një gjykatë holandeze ka thirrur si të akuzuar miliarderin amerikan Bill Gates dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë farmaceutike Pfizer Albert Bourla në lidhje me vaksinat.

Pretendimi bazohet në një padi civile të depozituar në një gjykatë të Leeuwarden, në Holandën veriore, nga shtatë qytetarë holandezë, të përshkruar nga media vendase si “një grup skeptikësh ndaj koronavirusit”, kundër 17 personave. Këta përfshinin ish-kryeministrin holandez Mark Rutte, ish-ministrin e Shëndetësisë Hugo de Jonge, disa këshilltarë qeveritarë që shërbyen gjatë pandemisë dhe Bill Gates, në cilësinë e tij si drejtor i Fondacionit Bill dhe Melinda Gates. Paditësit pretenduan se ishin mashtruar nga këta individë në lidhje me efektet e padëshiruara të pretenduara të vaksinave Covid-19, duke pretenduar se kishin vuajtur probleme fizike dhe mendore pas marrjes së tyre, për të cilat ata kërkuan dëmshpërblim. 

Në atë kohë, zëdhënësi i Gjykatës së Qarkut të Holandës Veriore sqaroi se kjo nuk ishte një çështje penale por një çështje civile “në të cilën disa paditës kanë paditur disa palë të tjera”. 

Pra, Gates dhe Bourla, krahas 15 personave të tjerë, nuk janë thirrur nga gjykata si të akuzuar në një çështje penale. Ata janë të paditur në një padi civile, gjë që në rastin më të keq mund të përfundojë duke i detyruar të paditurit t’u paguajnë dëmshpërblim paditësve

Një vendim i Gjykatës në 16 tetor 2025 hodhi poshtë argumentin e Gates se gjykata nuk kishte juridiksion për të dëgjuar çështjen sepse Gates nuk jeton në Holandë. 

“Për të qenë të qartë, ky vendim nuk thotë asgjë për çështjen më të madhe,” tha zëdhënësi i gjykatës Anno Rijpkema.

Një dispozitë në Kodin Holandez të Procedurës Civile lejon një gjykatë holandeze të fitojë juridiksion për sa kohë që ka juridiksion mbi të paktën një të paditur dhe me kusht që pretendimet kundër të paditurve të kenë të njëjtin grup faktesh themelore dhe të jenë të lidhura ngushtë ligjërisht.

Gates nuk është i detyruar të paraqitet personalisht kur çështja më e madhe shkon në gjyq civil, tha Rijpkema, por avokatët e tij mund ta përfaqësojnë atë.

Remme Verkerk, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Utrecht, tha për AFP se vetëm pse gjykata pranoi të dëgjonte çështjen nuk do të thotë se ajo ka bazë. “Lejohet të fillojnë procedurat, dhe pastaj rregulli kryesor në sistemin tonë ligjor është që kushdo mund të shkojë në gjykatë”, tha ai.

Çështja në fjalë është ende në pritje në Gjykatën Civile të Leeuwarden.